×
  • Lajme
  • Lajme

    Pas dështimit: LDK-ja ka vetëm 2 fjalë, konfirmohet mospajtimi i madh

    Reporteri
    27 Janar 2020 | 20:36

    Lidhja Demokratike e Kosovës është deklaruar lidhur me takimin e sontëm ku dështuan të mirren vesh me Lëvizjen Vetëvendosje.


    Në një deklarim të shkurtër, partia e Mustafës e konfirmon se nuk janë askund afër, pasi kanë theksuar se qëndrimet e tyre dihen, shkruan Reporteri.net.

    “Në takimin e sotëm kemi shpalosur qëndrimet tona, tashmë të njohura dhe publike për opinionin. Konsiderojmë që këto qëndrime janë të balancuara për të dy palët dhe që i shërbejnë stabilitetit të qeverisjes së vendit”, thonë nga LDK-ja.

    E këto qëndrime, siç edhe dihet, janë refuzuar nga VV-ja dhe ishin pikërisht këto që shtruan nevojën për një takim të sotëm i cili përfundoi pa marrëveshje.

    Sidoqoftë, nga VV-ja konfirmuan një takim të nesërm i cili do të jetë në praninë e ambasadorëve të huaj dhe mund të definojë gjithçka.

    “Sot pasdite, në Kuvendin e Kosovës u mbajt edhe një takim ndërmjet LVV dhe LDK. Nuk u arrit marrëveshja. Palët u pajtuan që nesër të zhvillohet një takim tjetër bashkë edhe me ambasadorët e Quint-it në Prishtinë si dhe me Shefen e Misionit të BE-së. Kanë mbetur edhe tetë ditë deri në skadimin e afatit kushtetues për koalicionin qeverisës”, thanë VV-ja më herët.

    Kujtojmë se “mollë sherri” për mosarritjen e marrëveshjes mes këtyre partive mbetet posti i kryekuvendarit të cilën po e kërkon LDK-ja, por nuk po heq dorë partia e Kurtit, e cila më 26 dhjetor zgjodhi Glauk Konjufcën si kryetar Kuvendi falë votave të LDK-së, por pa marrëveshje me këtë parti. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!