Qeveria Kineze ka akuzuar Shtetet e Bashkuara të Amerikes se me anë të përgjigjes së saj ndaj shpërthimit të koronavirusit, po shkakton panik dhe po përhapë frikë tek qytetarët.
Ky reagim erdhi pasi që SHBA-të kanë shpallur emergjencë shëndetësore publike dhe kanë ndaluar hyrjen në territorin amerikan të shtetasve që kanë vizituar Kinën në dy javët e fundit.
Në një konferencë për medie të hënën, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Kineze, Hua Chunying, tha se veprimet e SHBA mund të krijojnë dhe përhapnin frikë në vend që të ofrojnë ndihmë.
Ajo poashtu tha se ky është vendi i parë që vendosi një ndalim udhëtimi për udhëtarët kinezë.
“Janë pikërisht vendet e zhvilluara si SHBA-të me aftësi të forta parandaluese të epidemisë që kanë marrë rolin kryesor në vendosjen e kufizimeve të tepërta në kundërshtim me rekomandimet e OBSH”,- tha ajo, raporton Reuters.
OBSH ka paralajmëruar se mbyllja e kufijve mund të përshpejtojë përhapjen e virusit, nëse udhëtarët hyjnë ilegalisht në shtete të ndryshme.
Deri tash ka më shumë se 17,000 raste të konfirmuara të virusit në Kinë. Rreth 361 njerëz kanë vdekur vetëm në kontinentin e Azisë.
Jashtë Kinës, ka më shumë se 150 raste të konfirmuara të virusit dhe një vdekje në Filipine./Reporteri.net/
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.