×
  • Lajme
  • Lajme

    Anton Quni, ministri i Kurtit që mori 12 mijë marka për të luftuar në Kosovë

    Reporteri
    05 Shkurt 2020 | 12:51

    Në luftën e Kosovës ishin angazhuar mijëra djem e vajza, gra e burra, për t’iu bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për të luftuar kundër okupatorit shumëvjeçar, Serbisë.


    I gjithë angazhimi i tyre ishte vullnetar, pa kompensim me para apo forma tjera.

    Mirëpo, Ministri i ri i Mbrojtjes, që do të udhëheq me djemtë dhe vajzat pasardhëse të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Anton Quni ishte angazhuar në luftën e Kosovës, duke u paguar për çdo muaj, sikurse bëjnë mercenarët nëpër luftëra të ndryshme nëpër botë.

    Anton Quni, duke qenë ushtarak me profesion dhe shkollimin e kryer në Kroaci, ishte angazhuar gjatë luftës në Kosovë me pagesë nga Ministria e Mbrojtjes e atëhershme, ku ministër ishte Ahmet Krasniqi, një zyrtar i lartë i LDK-së, shkruan Insajderi.

    Se ishte paguar gjatë luftës në Kosovë, Quni e ka pranuar vetë, duke thënë se ka marrë 12 mijë marka të atëhershme.

    “Kam marrë pagë nga muaji korrik i vitit 1998 deri në po të njëjtin muaj të vitit 1999, një vit në total i bie diku 12 mijë marka për tërë luftën, do të thotë për ata që me quajnë mercenar, fitimi im ka qenë 12 mijë marka. 12 mijë marka unë e kam pasur fitimin tim mujor me biznesin tim në Zagreb”, kishte thënë Quni.

    Por, ai ka pasur një arsyetim se pse kishte pranuar të paguhet për të luftuar në Kosovë.

    “Kur është në pyetje financimi për ngritjen e kapaciteteve ushtarake etj, aty qarkullon shumë para. Dhe kontrolli i parave në kushte lufte është shumë i vështirësuar. Që ushtarakët të mos shfaqin apetite e të mos shndërrohen në profiter lufte, minimumi dhe maksimumi i tij është paga që i ka dhënë Ministria”, kishte thënë Quni

    Se Anton Quni ishte paguar për luftën në Kosovë, e kishte zbuluar fillimisht presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, gjatë raportimit në komisionin hetimor parlamentar për “Gylenistët”, kur Thaçi e Quni ishin përplasur ashpër.

    “Ti kur flet për luftë mos u djersit, se në luftë ke qenë nga fundi. Një këmbë e ke pas në Shqipëri një në Kosovë. Je hi në Kosovë pasi u hy NATO në Kosovë. Ke luftuar, ke qenë një mercenar luftëtar. Je një Boshko Buhë i paguar. Duhet me të ardh turp. Ti mercenari qe ke luftu atje, asnjë ditë nuk e ki luftë në Kosovë”, kishte deklaruar Thaçi gjatë mbledhjes së komisionit.

    Anton Quni, detyrën e ministrit të Mbrojtjes e mori nga Rrustem Berisha. Ky i fundit ka pranuar të bëhet këshilltar politik i Qunit, pasi të dy kanë qenë në luftë së bashku. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!