Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka bërë homazhe tek pllaka përkujtimore e Arben Xheladinit dhe Mon Balajt, të cilët u vranë 13 vjet më parë gjatë protestës ku po kundërshtohej Pakoja e Ahtisaarit.
Kurti ka thënë se kjo protestë nuk ishte e kotë dhe se nuk do ta harrojë kurrë sakrificën e Xheladinit dhe Balajt, njofton Klan Kosova.
“Para 13 vjetëve ne protestuam paqësisht; mirëpo mu në këtë vend nuk u pritem njësoj. Protestuam kundër diskriminimit të shqiptarëve në Paketën e Ahtisaarit. Aty 37 herë përmendej fjala serb; ndërsa shqiptar vetëm një herë. Atëherë kur thuhej komunitetet joshqiptare – vetëm njëherë përmendej gjuha shqipe. Ajo paketë vendosi pengesa të mëdha që i kemi edhe sot e kësaj dite”.
“Prandaj me 10 shkurt, protestuam me shumë të drejtë. Ato vendime që u pranuan kollaj nga politikanët dritëshkurtër, sot i kushtojnë shumë Kosovës dhe ia kanë gjymtuar shtetit sovranitetin e demokracinë. Ne po përpiqemi t’i rregullojmë këto gabime, por korrigjimi merr shumë kohë”.
“Kjo protestë ishte ndër demonstratat më të mëdha të pasluftës dhe në ballë të saj ishte Adem Demaçi. 232 plumba të skaduar u gjuajtën mbi trupat tanë ku u vranë aktivistët Xheladini dhe Balaj. Ku do të ishin ata sot po të mos kishte ndodhur ajo padrejtësi 13 vjet më parë?. Do të ishin aktivistë të ndershëm dhe jo përfitues. Ata ishin të gatshëm të jepnin gjithçka. Ne nuk do të ishim këtu ku jemi po të mos ishin ata për ta ndriçuar rrugën”.
“Protesta jonë nuk ishte e kotë. Një muaj pas protestës sonë, Marti Ahtisaari ia bashkëngjiti propozimit të tij një faqe të re të parë ku thoshte pavarësi e mbikëqyrur për Kosovën. Një vit pas protestës sonë, u shpall Pavarësia e Kosovës. Pesë muaj pas protestës, OKB vendosi ta ndalojë përdorimin e plumbave të gomës në misionet e saja gjithandej globit”.
“Drejtësia ende mungon për Monin dhe Arbenin. UNMIK-u duhet të marrë masa dhe të kthej përgjigje për opinionin e Panelit Këshillues për të Drejtat e Njeriut të UNMIK-ut, meqenëse ky panel nxori vendimin se policia ka pasur faj sa i përket vrasjes së demonstruesve paqësorë. Ne kurrë nuk do t’i harrojmë dhe përherë do t’i kultivojmë idealet tona të përbashkëta”.