×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti reagon pas lajmit nga Daçiq për çnjohje, paralajmëron veprime

    Reporteri
    03 Mars 2020 | 12:09

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas deklaratës së ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq se Sierra Leone e ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.


    Kurti i ka bërë thirrje Serbisë që që ta ndalë këtë ofensivë dhe të heqë dorë nga politikat destruktive ndaj Kosovës dhe shtetësisë së saj, shkruan Reporteri.net.

    “I bëj thirrje Serbisë zyrtare që ta ndalë këtë ofensivë dhe të heqë dorë nga politikat destruktive ndaj Kosovës dhe shtetësisë së saj. Po ashtu, do të kërkoj nga faktorët relevantë ndërkombëtarë, në radhë të parë ShBA-të dhe BE-ja, si ndërmjetësues në procesin e dialogut, ta shtojnë trysninë mbi Serbinë që ta ndërpresë politikën armiqësore ndaj Kosovës”, ka shkruar ndër të tjera Kurti.

    Kurti ka thënë se vullnetit të tij të  mirë për heqjen e pjesërishme të tarifës, Serbia iu kundërpërgjigj me intensifikim të fushatës së çnjohjeve së pavarësisë së Kosovës.

    “Vullnetit tim të mirë, për heqjen e pjesshme të tarifës në lëndën e parë që importohet nga Serbia, në mënyrë që të krijohen kushtet për rifillim të dialogut dhe të ndërtimit të marrëdhënieve konstruktive të bashkëpunimit, qeveria serbe po i përgjigjet me intensifikim të fushatës së çnjohjeve së pavarësisë së Kosovës”, shkruan Kurti.

    Ai i ka thënë se do ta shqyrtoj me kujdes situatën e krijuar dhe se do të ndërmarrë veprime konform interesave të shtetit të Kosovës.

    “Ne kemi treguar qartë se e kemi vullnetin për marrëdhënie korrekte e normale me Serbinë. Mirëpo nuk mund të lejojmë që ky vullnet i yni të nëpërkëmbet. Si kryeministër i Kosovës do të shqyrtoj me kujdes situatën e krijuar dhe do të veproj konform interesave të Republikës dhe qytetarëve të saj”, ka përfunduar ai. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!