Serbia vazhdon që në mënyrë sistematike të injorojë thirrjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të tjera të QUINT-it për ndaljen e fushatës agresive kundër pavarësisë së Republikës së Kosovës me qëllim të rinisjes së dialogut për normalizim të raporteve Prishtinë – Beograd.
Gjatë ditës së sotme Ministri i Jashtëm i këtij shteti, Ivica Daçiq prezantoi edhe një çnjohje të re. Bëhet fjalë për Sierra Leonen, shtet ky që ishte ndër të parët që kishte njohur Kosovën, më 2008. Daçiq në takim me Ministren e Jashtme të këtij shteti prezantoi notën verbale për tërheqjen e njohjes, shkruan Reporteri.net.
Gjatë vizitës në Sierra Leone, Daçiq ka pasur takim edhe me presidentin e këtij vendi, Julius Maada Bio. Në një komunikatë të lëshuar nga presidenca e Sierra Leones janë dhënë detaje lidhur me vizitën e Daçiqit në këtë shtet. Në njoftim thuhet se është diskutuar për mënyrat e forcimit të bashkëpunimit dypalësh midis dy shtete. Mirëpo, askund nuk potencohet se ky shtet ia ka konfirmuar Daçiqit tërheqjen e njohjes së Kosovës.
“Ndërsa presidenti, Julius Maada Bio shtoi se e prania e Daçiqit tij në vend ishte një manifestim i interesit të tyre për shtetin e vogël perëndimor-afrikan. Ai lavdëroi qeverinë serbe për mbështetjen e tyre ndaj vendit gjatë shpërthimit të Ebolës dhe për ofrimin e mundësive të bursave për studentët e Sierra Leones”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se Ministria e Punëve të Jashtme ka thënë se nuk kanë marrë ende notë zyrtare për tërheqjen e njohjes nga Sierra Leone, ndërkaq kryeministrit i vendit, Albin Kurti ka paralajmëruar veprime. /Reporteri.net