×
  • Lajme
  • Lajme

    Ky është Sierra Leone, shteti që sot u rreshtua krah Serbisë dhe tërhoqi njohjen e Kosovës

    Reporteri
    03 Mars 2020 | 13:47

    Serbia vazhdon që në mënyrë sistematike të injorojë thirrjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të tjera të QUINT-it për ndaljen e fushatës agresive kundër pavarësisë së Republikës së Kosovës me qëllim të rinisjes së dialogut për normalizim të raporteve Prishtinë – Beograd.


    Gjatë ditës së sotme Ministri i Jashtëm i këtij shteti, Ivica Daçiq prezantoi edhe një çnjohje të re. Bëhet fjalë për Sierra Leonen, shtet ky që ishte ndër të parët që kishte njohur Kosovën, më 2008, shkruan Reporteri.net.

    Në listën e njohjeve figuron se Sierra Leone është ndër vendet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës, pikërisht më 11 qershor të vitit 2008. Kështu më 2008 ai ishte bërë shteti i 43-të që kishte njohur Kosovën.

    Republika e Sierra Leones, është një vend në bregdetin jug-perëndimor të Afrikës Perëndimore. Kufizohet nga Liberia në juglindje dhe Guinea në verilindje.

    Sierra Leone mbetet ndër vendet më të varfra në botë. Dekadat e rënies ekonomike dhe 11 vjet konflikt të armatosur kishin pasoja dramatike në ekonomi. Varfëria mbetet e përhapur me më shumë se 60% të popullatës që jeton me më pak se 1.25 dollarë në ditë dhe niveli i papunësisë dhe analfabetizmit mbetet i lartë, veçanërisht në mesin e të rinjve.

    Sierra Leone fitoi pavarësinë nga Britanikët më 27 Prill 1961.  Nga viti 1991 deri në 2002, Sierra Leone u shkatërrua nga lufta civile pasi një grup rebel, Fronti i Bashkuar Revolucionar, ndërhyri në një përpjekje për të rrëzuar qeverinë e vendit Momoz Momoh. Konflikti, i cili zgjati nga 1991 deri më 2002, u karakterizua nga akte brutaliteti ekstrem dhe rezultoi në mbi 50,000 vdekje dhe zhvendosje të mbi 2 milionë njerëzve. Një paqeruajtje e Kombeve të Bashkuara dhe ndërhyrja ushtarake e mëpasshme britanike rezultuan që lufta ndërpritet më 18 janar 2002.

    Kujtojmë se nga MPJ e Kosovës kanë thënë se ende nuk kanë marrë notë zyrtare për tërheqjen e njohjes. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!