Ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, sot ka propozuar shkarkimin e shtatë ambasadorëve nga misionet e tyre diplomatike.
Ambasadorët të cilët janë propozuar për t’u tërhequr nga misioni diplomatik janë të lidhur me Partinë Demokratike të Kosovës, ku disa prej tyre vite më parë kanë mbajtur pozita të larta shtetërore, para se të emëroheshin ambasador, shkruan Reporteri.net.
Vlora Çitaku – ambasadore në SHBA, ka mbajtur pozita ministrore gjatë kohës sa Hashim Thaçi ka qenë kryeministër i Kosovës. Ajo ka mbajtur pozitën e ministres së Integrimit Europian, si dhe ushtruese e detyrës së Ministrit të Punëve të Jashtme.
Mimoza Ahmetaj – poashtu ka mbajtur pozitën e ministres së Integrimit Evropian.
Ramadan Avdiu – është një prej themeluesve të PDK-së. Për një kohë ka mbajtur pozitën e zv.ministrit të Financave, ku më pas të fillojë punën në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Gjenevë.
Ylber Hysa – ambasador i Kosovës në Mal të Zi, ish themelues i partisë reformiste “Ora”, njihet si njeri i afërt me PDK-në.
Lirim Grejçevci – ambasador i Kosovës në Holandë ka qenë këshilltar i Hashim Thaçit, sa ky i fundit ka qenë kryeministër.
Edon Cana – ambasador i Kosovës në Sofje të Bullgarisë është ish-zyrtar i PDK-së.
Shpend Kallaba – ambasador i Kosovës në Hungari ka qenë pjesë e AKR-së
Kujtojmë se, ministri Glauk Konjufca s’mund t’i shkarkojë ambasadorët pa pëlqimin e presidentit Hashim Thaçit. /Reporteri.net/.