Presidenti Ilir Meta është i vendosur ti shkojë deri në fund asaj që nisi më 2 mars. Në një reagim në Facebook, Kreu i Shtetit thotë se do të vazhdojë të jetë në detyrë deri në 24 korrik 2022 dhe deri në këtë datë shprehet se nuk synon as kryeministrin as liderin e opozitës.
“Mos u lodhni kot me konspiracione! Jam Presidenti i Republikës dhe lider i sovranitetit dhe unitetit kombëtar, në mbrojtje të Kushtetutës, lirisë dhe demokracisë! Ky është projekti im i vetëm deri në 24 korrik 2022! Nuk synoj, as për Kryeministër, dhe as për kryetar opozite deri atëherë”, shprehet kreu i shtetit.
Atë që bëri në 2 mars, thotë se do ta bëjë në gjithë Shqipërinë.
“Por nga 2 marsi unë kam zbritur në shesh dhe do të vazhdoj shesh më shesh, në të gjithë Shqipërinë derisa të rivendosim vullnetin e sovranit në çdo institucion. Po, qeveria duhet të ketë frikë nga POPULLI, jo POPULLI nga qeveria”, mbyll postimin e tij në Facebook, Presidenti Ilir Meta.
Në tubimin e 2 marsit, kreu i shtetit tha se nëse nuk zbatohet dekreti për “betimin e gjyqtareve”, pas 15 marsit do të shpërndajë parlamentin.
“Se pas datës 15 mars kur të përfundojë reforma zgjedhore, që është një kusht, nëse ata nuk do ta marrin seriozisht, popullin kuq e zi që votoi sot për vdekjen e grushtit të shtetit, unë Ilir Meta betohem se atë dekret nuk do të firmos këtu por atje në mes të parlamentit në mes të krimit. Dhe do ti bëj thirrje gjithë popull shqiptar, unë i pari dhe gjithë popull kuq e zi.”