×
  • Lajme
  • Lajme

    Blic: Sonte vjen kërcënimi i fundit i LDK-së për Kurtin: Ose po e dëgjojmë Amerikën, ose dalim nga qeveria

    Reporteri
    04 Mars 2020 | 11:10

    Sonte në mbrëmje, Lidhja Demokratike e Kosovës, do të dalë me qëndrim përfundimtar sa i përket heqjes së taksës ndaj mallrave serbe.


    Burime të Gazetës Blic brenda LDK-së, kanë bërë të ditur se Kryesia e kësaj partie, ka marrë vendim që sonte në mbrëmje të dalim me qëndrim dhe t’ia bëjnë të qartë kryeministrit Albin Kurti, se i ka dy rrugë: ose të hiqet taksa siç po kërkojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ose LDK do të dalë nga qeveria.

    “Sonte dalim me qëndrim përfundimtar. Do t’i bëhet e qartë edhe zotërit Kurti, se nuk mund të vazhdohet kështu. Presioni amerikan është në pikën më të lartë që ka qenë ndonjëherë. Lidhja Demokratike e Kosovës, ia ka bërë të qartë vazhdimisht të gjithëve, që raportet me Amerikën nuk guxon të na i rrezikojë asnjë person, kushdo qoftë ai. Do të kërkojmë përfundimisht që të dëgjohet thirrja amerikane për heqjen e taksës, ose LDK nuk do të jetë më pjesë e qeverisë”, i ka thënë ky burim.

    Tutje, thuhet që zyrtarët e LDK-së në takimet private i kanë treguar kryeministrit Kurti, se nuk mund ta presin pafundësisht në marrjen e këtij vendimi.Madje, ata i kanë thënë Kurtit se për LDK-në, mosdëgjueshmëria ndaj kërkesës së SHBA-së, do të pasojë me largimin nga Qeveria Kurti.Se LDK është duke e shqyrtuar seriozisht largimin nga qeveria, nëse Kurti nuk ndryshon qëndrim, e kanë thënë kryetari i Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa dhe zv.kryeministri i parë, Avdullah Hoti.

    Të dielën, Isa Mustafa, përmes një statusi të gjatë, e bëri të qartë që LDK nuk mund të qëndrojë në Qeveri nëse do të ketë refuzim të kërkesës amerikane dhe rrezikim të marrëdhënieve mes dy vendeve.“Që nga fillimi jam shprehur haptas, ndoshta ndër të vetmit, se tarifa së pari 10 përqind e pastaj 100 përqind, e caktuar nga Qeveria Haradinaj, nuk kishte arsyetim ekonomik por ishte vënë për tu mbrojtur nga dështimet, sidomos në politikën e jashtme. Presidenti i Serbisë, Vuçiq, i dha tarifës dimension të kushtëzimit të dialogut. Prandaj kur doli në pah mundësia e pazareve me territorin ndërmjet dy presidentëve, atij të Serbise dhe të Kosovës, tarifa rrëshqiti në levën e pengimit të këtij dialogu të dëmshëm. Atëherë e kam përkrahur ish Kryeministrin Haradinaj për vazhdimin e tarifës.

    Pas zgjedhjeve të vitit të kaluar të Komisionit Evropian dhe sidomos pas angazhimit shumë aktiv të SHBA-ve me përfaqësuesin special të Presidentit Trump, ambasadorin Grenell, tarifa objejtivisht mbetet vetëm si relikt, i cili po i shërben Serbisë të paraqitet si viktimë në arenën ndërkombëtare dhe disave në Kosovë si mjet i vetëm i një kauze të paqendrueshme politike. Askujt nuk i mbushet mendja se Kosova e detyron Serbinë që ta njohë përmes tarifës. Por, shumicës dërmuese iu mbushet mendja se SHBA-të, në rend të parë, dhe BE mund ta bindin Serbinë, përmes procesit të dialogut, ta njohë shtetin e Kosovës. Dëshiroj të besoj se mbledhja e nesërme e Kuvendit do ti japë përkrahje Qeverisë dhe Kryeministrit Kurti të hiqet tarifa. Të hiqet ashtu siç po kërkojnë SHBA-të. Nuk jam i sigurt që dikush nga grupet parlamentare ose deputetët e Kuvendit apo qeveritarët ta kenë gjetur një partner më të fortë, më meritor dhe më të përkushtuar sesa SHBA-të për shtetin dhe shtetësinë e Kosovës. E as një rrugë më me perspektivë se ajo e integrimit evropian dhe euroatlantik. Nëse dikush luhatet, LDK, deputetët e saj dhe anëtarët e Qeverisë do të mbështesin pa asnjë rezervë dhe me besim e bindje të plotë heqjen e menjëhershme të tarifës, dhe atë jo vetëm se po e kërkon partneri ynë strategjik SHBA, por se jemi të bindur se kjo është në interes të shtetit të Kosovës. Në qoftë se Serbia, nuk e ndal fushatën kundër Kosovës dhe nuk mënjanon pengesat tregtare dhe ekonomike, LDK mbetet e përkushtuar për aplikimin e masave të reciprocitetit pas një periudhe që Qeveria e akordon me SHBA-të dhe BE-në. IM”, ka shkruar të dielën Mustafa.

    Edhe zv.kryeministri i parë në Qeverinë Kurti, Avdullah Hoti, ka qenë i zëshëm në këtë çështje.Ai ditë më parë ka thënë se LDK do të tërhiqet nga Qeveria nëse rrezikohen“Ky nuk ishte vendim. Vendimet e qeverisë nuk merren në konferenca shtypi. Nuk mund të shkojë përpara asnjë vendim për të cilin nuk dakordohen partnerët qeverisës. “Një qeveri e cila qëndron e izoluar nga ana e ndërkombëtarëve, atëherë LDK nuk rrin në atë qëveri. Nuk mund të rrimë në dicka të tillë. Ne dalim.“Kërkesa e jonë ka qenë e vazhdueshme që ne duhet të ulemi dhe të dakordohemi vazhdimisht si qeveri”, ka thënë Hoti.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!