Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila ka përgënjeshtruar lajmet se ajo mund të jetë e nominuar për ambasadore të Kosovës në SHBA pas dorëheqjes së Vlora Çitakut.
Kusari-Lila ka thënë se do të vazhdoj punën si kryetare e Alternativës dhe t’i shërbej popullit si deputete në Kuvendin e Kosovës, por se nuk planifikon të jetë pjesë e shërbimit diplomatik, shkruan Reporteri.net.
Reagimi i plotë:
Pas publikimit të mesazhit tim urues për punën e kryer me dinjitet drejtuar Ambasadores së Republikës së Kosovës në SHBA, znj. Vlora Çitaku, u krijua një përshtypje dhe filloi të merret si i mirëqenë fakti, se unë jam e nominuara e radhës për postin e Ambasadores së Kosovës në SHBA.
Për hit të së vërtetës dhe korrektësisë ndaj publikut, unë ju informoj se NUK jam e Nominuar për Ambasadore në SHBA dhe nuk nuk planifikoj shërbimin diplomatik në këtë periudhë të angazhimit tim në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Unë vazhdoj të udhëheq subjektin Alternativa, jam deputete në grupin Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje dhe në Kuvend shërbej në dy Komisione Parlamenta në cilësinë e anëtares: Komisionin për Buxhet dhe Transfere dhe Komisionin për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike, ku jap kontributin tim profesional për fushat shumë të rendësishme të jetës së qytetarëve të Kosovës.
Unë ju falenderoj të gjithëve për mendimet e mira dhe urimet tuaja dhe shpresoj në të ardhmen e afërt t’i meritoj me rast të mirëqenë nga shërbimi për të cilin kam marrë besimin e popullit.
E Juaja,
Mimoza Kusari-Lila