×
  • Lajme
  • Lajme

    Domi: Vaksina kundër koronavirusit për tre muaj e gatshme të testohet te kafshët, pas një viti te njerëzit

    Reporteri
    05 Mars 2020 | 18:00

    Drejtori i Departamentit për zhvillimin e vaksinave në firmën Bioteknologjike GeoVax në SHBA, Arban Domi, ka thënë se janë në procesin e përgatitjes së vaksinës kundër koronavirusit.


    Ai në Express Intervista të KTV-së ka thënë se për afër tre muajsh, do të jenë të gatshëm ta testojnë te kafshët për të parë nëse do të ketë rezultat.

    Domi thotë se pas një viti në rast se do të ketë sukses ajo do të mund të përdorët edhe te njerëzit.

    “Jemi në procesin e përgatitjes së vaksinës dhe kemi nevojë për 2 muaj e gjysmë deri tre muaj, dhe besoj që pas tre muajsh do ta testojmë te kafshët dhe në varësi të rezultateve vitin e ardhshëm do ta testojmë te njerëzit. Fakti që është shumë më i afërt me virusin SARS e vështirëson gjetjen e vaksinës, sepse për atë virus që 15 vjet nuk është gjetur vaksina. Jam optimist se testet e para me medikamentet ekzistuese po japin rezultate premtuese”, ka thënë ai.

    Duke folur për situatën në SHBA, ai ka thënë se është në kontroll të plotë.

    Ai ka thënë se po shpërndahen numër i madh i testeve për të testuar koronavirusin.

    Domi ka shtuar masat kundër këtij virusi nuk janë të ekzagjeruara, sepse sipas tij është situatë serioze.

    Ai thotë se është i tepërt paniku që është shkaktuar te njerëzit.

    “Masat kryesore janë higjiena e përditshme për njerëzit, larja e duarve, mosshkuarja në vende publike, moskontakti me të sëmurë. Sa i përket organizimit të shërbimit shëndetësorë janë bërë gati spitalet përkatëse dhe pavionet e caktuara në SHBA. Jemi me një virus të ngjashëm siç është gripi i cili vetëm në Amerikë ka shkaktuar mbi 15 mijë persona të vdekur, duhet bërë kujdes por jo panik. Ky panik dhe këto masa kaq ekstreme lidhen në radhë të parë me Kinën, duke ditur se niveli shëndetësorë nuk është në nivelin e vendeve perëndimore. Duhet bërë kujdes dhe duhet marrë masat e nevojshme”, ka thënë ai.

    Domi thotë se të dhënat e para tregojnë se infektiviteti i virusit është më i madh se sa ai i gripit.

    Ai thotë se nuk dihet shumë për virusin e për këtë ka kaq shumë panik te njerëzit.

    Domi thotë se virusi lidhet me sistemin imunitar, duke shtuar se nga praktika e deritanishme më shumë ka prekur moshat e shtyra.

    “Në rastin konkret analizat e para të bëra në disa vende perëndimore eliminojnë mundësinë që ky virus është krijuar në laboratorë. Virusi ka ekzistuar më herët te lakuriqët e natës e pastaj janë infektuar edhe njerëzit”, ka thënë ai.

    Ai thotë se janë duke punuar edhe në vaksina tjera të cilat janë përdorur te kafshët dhe kanë rezultuar të suksesshme.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!