Rreth 100 të pranuar në konkursin e fundit për noterë e që u anulua nga Ministrja e re e Drejtësisë, me arsyetimin se kishte shkelje dhe parregullsi, po përgatiten që ta padisin ministrinë për vendimin. Ata konsiderojnë se u janë shkelur të drejtat, pasi secili prej tyre konsideron se u pranua bazuar në aftësitë e tyre.
Reporteri ka biseduar me disa prej tyre e që nuk kanë dashur t’iu përmendet emri, por kanë thënë se së shpejti edhe do të dorëzojnë paditë, disa bashkë e disa individualisht.
“Tre tashmë e kanë dorëzuar padinë”, tha njëri nga ata që pret që këto ditë ta dorëzoj padinë.
Ndërkohë, padi ka paralajmëruar edhe ish ministri Abelard Tahiri. Pas anulimit të këtij konkursi ai kishte deklaruar se kjo do të prodhojë pasoja juridike e administrative pasi siç ka thënë ai, paraqet shkelje flagrante të të drejtave të fituara nga qytetarët e Republikës së Kosovës.
Kujtojmë se Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, javë më parë ka anuluar procesin e shumëpërfolur të përzgjedhjes së noterëve.
Ajo kishte thënë se ky proces nuk ka pasur ligjshmëri, transparencë e as objektivitet, pasi sipas saj, shumica e kandidatëve kanë qenë familjarë dhe militantë partiakë.
214 ishte numri i atyre që kishin fituar nga ky konkurs. /Reporteri.net