×
  • Lajme
  • Lajme

    Deputeti i VV-së e pranon se vëllai i tij u punësua në Ministrinë e Shëndetësisë

    Reporteri
    05 Mars 2020 | 20:25

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka ka reaguar pas raportimeve se vëllai i tij, Samiu u punësua në Ministrinë e Shëndetësisë.


    Ai në një sqarim në Facebook, ka pranuar se vëllai i tij është punësuar në ministrinë të cilën e udhëheqë Arben Vitia, por duke e arsyetuar këtë me faktin se ai është emëruar si këshilltar politik i ministrit e që për emërime të tilla, që janë politike, vendosin ministrat.

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia që vjen nga Vetëvendosje, e ka pranuar po ashtu ditë më parë se ka punësuar vëllain e Fitim Ukës, deputetit të VV’së si këshilltar, shkruan Reporteri.net.

    Postimi i plotë:

    Pak më gjatë, për të gjitha përfoljet e shkurtëra!

    Si djali i një mësuesi e një amviseje, kam përjetuar në lëkurën e shpirtin tim, padrejtësi të të gjitha ngjyrave. Asnjë portë të vetme në rrugëtimin tim, nuk ma ka hapur karta e të qenit djali i mësuesit Ruzhdi. Prandaj, jam betuar, që asnjë portë e vetme, nuk do t’i hapet askujt që është familjar apo mik i imi, por as nuk do t’i mbyllet dikujt që është kundër meje.

    Jam rritur nën hijen e 6 vëllezërve dhe motrave të mija, e sidomos nën hijen e vëllaut të madh, që ka qenë modeli ynë. Më kanë njohur si vëllau i vogël i Samiut dhe për një kohë të gjatë pata mësuar e punuar që ta bëjë krenar atë. Disa më kanë njohur gabimisht, si djali i Samiut, pasi që në të 90tat, në aktivitetet ilegale të familjes dhe miqve, unë isha ai që recitoja. Për një kohë, askush nuk më ka ditur emrin dhe ky lloj atashimi, gati sa më kishte lënë pa identitet. E kanë njohur vetëm Samiun. Edhe ditën kur në Dubovikun e Jusuf Gërvallës, po shënonim përvjetorin e vrasjes së tij, dhe kur policët serb sulmuan shtëpinë e nënës Ajshe, unë nuk e kisha hallin e vetes, por të vëllaut. Kështu që, për të, kam harruar shpesh edhe veten.

    Në kohën kur Samiu ishte pjesë Organizatës Botërore të Shëndetësisë, (po, po… Organizatës Botërore të Shëndetësisë), dhe ishte gjenerata e parë e sepcialistëve të Mjekësisë Familjare në Kosovën e pasluftës (specializim i marrë pjesërisht edhe në Universitetin e Utrecht të Holandës) dhe ndër trajnerët e parë të Mjekëve Familjar në Kosovë, unë isha në shkollën e mesme. As çmimet kombëtare për të qenurit “talent shqiptar i fundshekullit” apo nxënës i dalluar, por as të qenurit vëllau i Samiut, nuk më shpëtuan nga tregu i gjelbërt në Prishtinë dhe puna jo fortë e lehtë aty. Aty kam punuar bashkë me vëllezërit dhe babain tim, deri në vitin e dytë të studimeve. Kam bërë tregtarin për të ndihmuar familjen. Dhe, po, jam shumë krenar edhe për këtë pjesë të jetës sime dhe këtë veprimtari të ndershme, që na ka siguruar bukën e dinjitetshme. S’kemi pasur kurrë shumë, por jemi mjaftuar me faktin që të shtatët ishim në shkollë e studime – kjo ishte pasuria jonë. Dhe, po, jam shumë krenar edhe sot, me arritjet e secilit vëlla dhe secilës motër që kam. Dhe, po, nuk kam asgjë për të fshehur.

    Kur u regjistrova në fakultet, në një konkurrencë të fortë, dëgjova se ishte Samiu ai që kishte intervenuar. Mu desh të përfundoj edhe post-doktoraturën, për t’i dëshmuar botës, që ishte e pavërtetë. Por, bota rrotullohet. Ja që, sot, “spotlight” është tek Samiu dhe tek pandehma që e kam “punësuar” unë në Ministrinë e Shëndetësisë. Por, duhen pak rreshta për të dëshmuar që kjo është e pavërtetë. Meqë, askush nga mediet, nuk e pati mirësinë të kërkoj një deklaratë nga unë, po e ofroj këtë shkrim, si formë demanti, për gjithë çka është shkruar dhe do të shkruhet në vazhdim për këtë “korrelacion jo-signifikant”.

    Bagazhi profesional i Samiut është dhjetëfish më i pasur se sa bagazhi im modest në shkencë e përvojë pune. Për të vërtetuar këtë, mjafton të kërkoni në google emrin e tij. Besoj, kaq pak dinë edhe ata që po lakojnë emrat tanë. Aty do të gjejnë edhe faktin që Samiu është magjistër Shkence në Kujdesin Parësor Shëndetësor Ndërkombëtarë, në njërin prej pesë Universiteteve më të mira në botë (University College of London).

    Samiun nuk e kam punësuar unë, sepse Samiu nuk ka qenë kurrë i papunë, që nga viti 1996. Përkundrazi, ky është një nga pozicionet më modeste që ka pasur në karrierë dhe me pagën më të vogël që ka marrë, që nga koha e para-luftës. Deri para emërimit këshilltar nga Ministri, Samiu ka qenë Kryeshef i QKMF-së në Prishtinë, me koeficient dhe pagë dyfish me të lartë sesa paga që do të marrë si këshiltar dhe për 12 vjet ka punuar si zyrtar i lartë në Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Edhe sot, është ligjërues universitar, bilez larg më i respektuar e i dashur se unë. Emri im afër të tij, është si qiriu afër llampës elektrike.

    Meqë, disa kanë dëshirën që të raportojnë në lidhje me këtë “skandal”, është mirë që të paktën të respektojnë parimin e raportimit korrekt dhe profesional. Prandaj, është mirë që ta dinë të gjithë, që Sami Uka nuk është punësuar, por është emëruar (pra është post politik) këshilltar i ministrit të Shëndetësisë. Për emërime të tilla, që janë politike, vendosin ministrat. Rëndom, në këto pozicione, preferohen njerëz profesional dhe të besueshëm. Prandaj, edhe nuk ka konkurs, sepse këtë çështjen e besueshmërisë, si konstrukt latent, vështirë që e mat ndonjë peshore në Kosovë.

    Bashkëpunimi i Samiut me dr. Arbenin nuk ka filluar nëpërmjet meje dhe as që do të marrë kuptim ndonjëherë nga emri im. Asnjë medium, nuk ka shkruar për bashkëunimin shumëvjeçar të dr. Arben Vitia dhe dr. Sami Uka nga pozicione dhe raporte të ndryshme. Kur Sami Uka është punësuar si kryeshef i mjekëve familjarë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë dhe ka pasur rastin që të bashkëpunoj me ministrin Vitia, unë kam qenë duke shijuar jetën time akademike. Kur Samiu ka bashkëpunuar me Arbenin në kuadër të aktiviteteve të OBSh-së, zyra në Prishtinë, askush nuk më pati lakuar emrin, sepse atë kohë as që kam qenë në Kosovë. Sot, e pranoj që kjo drita e famës, edhe mund të zhvendoset nga unë, por vetëm për ata që duan të shkruajnë të pavërteta.

    Kjo, sepse e vërteta është ndryshe. E vërteta është që unë nuk e kam punësuar Samiun në Ministri (dhe as që do të mund ta punësoja pa konkurs). Por, Samiu dhe e gjithë familja, miqtë, studentët dhe ish-studentët e mi, më kanë mundësuar që të jem deputet. Pra, kahja e ndikimit është në anën tjetër. E di, që lajmi “dr. Sami Uka me familjarë dhe shokë e bëjnë deputet vëllaun e vogël”, nuk tingëllon edhe aq pompoz, ama tjetër lloj i lajmit, devijon nga e vërteta.

    Edhe pandehma, se me Lëvizjen jemi afruar për të avancuar në karrierë, bie në ujë. Me Lëvizjen, familja ime është tash e një kohë të gjatë. Madje, qysh në vitin 2010, motra ime Antigona Uka, ka qenë kandidate për deputete nga rradhët e LVV-së. Çuditërisht, asnjë nga punësimet dhe avancimet tona në gjithë këto vite, nuk i janë atribuar asaj.

    Me Lëvizjen jemi, sepse e kemi konsideruar dhe vazhdojmë ta shohim si të vetmen shpresë për ndryshim në vend. I vetmi paradoks në këtë mes është fakti, që ne, kontributin në LVV dhe në institucione nuk e shohim si privilegj, por si përgjegjësi. Ndërkaq, dikush dëshiron që ta portretizoj ndryshe dhe atë pak shtrembër.

    Kam qenë i vetëdijshëm, që shigjetime të tilla do të vijnë në momentin që unë do të jem deputet. Natyrisht, e kam të vështirë që të shoh dhe dëgjoj etiketime të ndryshme nga deputet me të kaluar të dyshimtë, por më duhet të vazhdoj. Më habisin pa masë edhe insinuatat që më paraqesin si ekstremist, antifeminist, racist e nepotist. Por, në fund të ditës, të jesh i mirë për të gjithë është e pamundshme, kjo sepse jo të gjithë që flasin janë të mirë. Prandaj, më mjafton gjykimi i atyre që më njohin dhe paragjykimi i atyre që nuk kanë pasur kurrë rastin të rrinë me mua, është vetëm motiv shtesë për të lëvizur para.

    Sidoqoftë, meqë po shohim kuriozitet të shtuar për pemën time familjare, e kam për obligim që t’iu ofrojë të gjithë të interesuarve një prezantim të shkurtër. Të paktën, në përfoljet e rradhës, mund të bashkangjesin edhe diç nga kualifikimet e tyre.
    Dr. Sami Uka, magjistër Shkence në Kujdesin Parësor Shëndetësor Ndërkombëtarë, dhe specialist i Mjekësisë Familjare.
    Dr. Naim Uka, Phd. kandidat dhe specialist i Mjekësisë Ligjore.
    Aferdita Uka-Fejzullahu, studiuese e Gjuhës dhe Letërsisë, si dhe gazetare.
    Msc. Lulzim Uka, master i Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe.
    Zahide Uka, master i Psikologjisë Organizative dhe Logopede e diplomuar.
    Antigona Uka Lutfiu, master i Psikologjisë Shkollore dhe Këshillimit, si dhe gazetare.

    Ne do të jemi këtu, sepse përherë këtu kemi qenë. Jemi punësuar dhe avancuar, kemi luftuar, e përjetuar çdo lloj padrejtësie, ama asnjëherë nuk jemi nënshtruar. Pak më shumë vëmendje, edhe nuk bën dëm. Por, kjo është e gjitha që kam për të thënë për këtë temë, edhe për ata që më njohin edhe për ata që nuk më njohin.

    P.S. Përndryshe, mendoj që mediet duhet të kryejnë përherë detyrën e tyre të pa-penguar dhe unë nuk kam reaguar ndaj asnjë lajmi, edhe atëherë kur më kanë etiketuar e nuk më kanë pyetur kurrë për këtë temë. Unë personalisht jam shumë i kënaqur, që tashmë lajm janë edhe emërimet politike, sepse në të kaluarën janë heshtur shpesh edhe punësimet e paligjshme dhe me konkurse të kurdisura.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!