Me një pagë minimale prej 170 euro në muaj, Kosova nuk njeh asnjë rival në rajon për vendin e fundit.
Gjatë vitit të kaluar, u kërkua që kjo pagë të bëhet 250 euro, gjë që nuk u arrit. Paga minimale në Kosovë ka mbetur e njëjtë që nga viti 2011.
Së fundmi Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se në sektorin privat nuk është e arsyeshme të ketë pagë minimale më të ulët se 350 euro. Thirrjes së tij iu bashkuan disa biznese private të cilët njoftuan se punëtorët e tyre tani e tutje nuk do të kenë pagë më të ulët sesa kjo vlerë, shkruan Reporteri.net.
E nëse kjo bëhet, atëherë Kosova del ta ketë pagën më të lartë minimale krahasuar me disa vende të rajonit.
Sipas Zyrës së Statistikave të Bashkimit Evropian (Eurostat), jo larg Kosovës sa i përket pagës minimale, qëndron edhe Mali i Zi, ku një punëtor nuk duhet të paguhet më pak se 193 euro, ndjekur nga Maqedonia e Veriut me 203 euro, si dhe Bosnja e Hercegovina me 208 euro. Në Shqipëri ky nivel i pagës është 211 euro, ndërsa në Serbi është 231 euro.
Pagën më të lartë minimale për vendet e Ballkanit e ka Sllovenia prej 625 euro, pasuar nga Greqia me 546 euro, Kroacia me 406 euro, si dhe Bullgaria me 222 euro.
Kosova vazhdon të jetë vendi më i varfër në Europën Juglindore, ku 34% e popullsisë jetojnë në varfëri absolute, me të ardhura ditore nën 1,55 euro, dhe 12% tjerë jetojnë në varfëri ekstreme (1.02 euro). /Reporteri.net