×
  • Lajme
  • Lajme

    Aleanca propozon Konferencë për Kosovën: Dialogu është komprometuar

    Reporteri
    08 Mars 2020 | 13:21

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka dalë në një konferencë për media, ku ka propozuar që të mbahet një Konferencë për Kosovën në Prishtinë, ku do të merrnin pjesë prijësit e partive politike dhe përfaqësuesit e SHBA-së dhe BE-së.


    Ky propozim i tij vjen, siç ka thënë ai, pas përçarjeve të shumta të taborit politik të Kosovës, qasje që po e dëmton Kosovën në raport me Serbinë.

    “Si Aleancë, ne kërkojmë që me u marr vesh se kah dojmë me ia mbajtë. Propozoj që të thirret një konferencë për Kosovën që të mbahet në Kosovë, e përbërë nga kryetarët e partive politike, por edhe udhëheqësit e dialogut, SHBA pra, dhe lehtësuesit, pra BE. Kjo konferencë e Kosovës në Kosovë, do të mundte me kriju një qëndrim unik, që do t’ua lehtësonte SHBA-se dhe BE-së që të pajtohemi për dialogun”, ka thënë Haradinaj.

    Kryetari i AAK-së ka thënë se procesi i marrëveshjes me Serbinë tashmë është kompremetuar.

    “Procesi i marrëveshjes me Serbinë është komprementu. Fatkori politik në vend është përça, presidenti në njërën anë, kryeministri në tjetrën. Pikërisht për këtë arsye Kosova është bërë subjekt i bisedimeve dhe jo palë në tavolinë”, ka thënë Haradinaj.

    Sipas Haradinajt, tashmë në Kosovë ekzistojnë dy blloqe politike, ai i Presidentit dhe ai i Kryeministrit. Por asnjëri nuk po i bën mirë Kosovës, ka thënë ai.

    “Blloku politik që kërkon heqjen e taksës, e vendosë përpara kohën përpara kualitetit të marrëveshjes. Këtë bllok opozitar e udhëheqë njeriu që kërkonte shkëmbime territoriale, pra presidenti Thaçi. Blloku tjetër i udhëhequr nga Kurti e kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani, nuk ka kalkuluar mirë, sepse kërkon heqjen e taksës po ashtu, por pa dakordim me SHBA-në”, ka theksuar ish-kryeministri Haradinaj.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!