Që kur Albin Kurti mori Qeverinë nën udhëheqje, ka pasur orvatje për t’u takuar me të parin e shtetit, presidentin Hashim Thaçi. Dy ftesa i bëri Kurti e një Thaçi. Të gjitha dështuan.
Kryeministri Albin Kurti, në ditën e 10 të qeverisjes i bëri ftesë presidentit Hashim Thaçi për takim, mirëpo ky i fundit nuk i shkoi, ani pse kryeqeveritari e ftonte për unitet, shkruan Reporteri.net.
E gati një muaj pas, shefi i Qeverisë e nisi edhe një ftesë tjetër në adresë të presidentit. Thaçi nuk u përgjigj fare dhe u lajmërua nga Amerika ku zhvilloi takime me zyrtarë të lartë, ani pse ftesa sërish ishte bërë për të krijuar unitet.
Kurti, ndërkohë, e ka pritur ditën e sotme për ta refuzuar presidentit Thaçi. Në ftesën e nisur dje nga presidenti Thaçi, Kurti nuk u përgjigj.
I pari i Qeverisë dha dy arsye për këtë, duke ironizuar madje me presidentin Thaçi. Kurti nuk pranoi të takonte presidentit si kryetar partie.
“Presidenti sot e paska lënë t’i takojë krerët e partive. Si kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! nuk kam as interes e as gatishmëri ta takoj Presidentin aktual. Si Kryeministër e kam obligim. Takohemi një ditë tjetër kur të mbarojë me partitë”, u përgjigj Kurti në ftesën e Thaçit.
Refuzimi i sotëm shënon lojën e tretë të krerëve të shtetit me ftesa. Deri tash, si kryeministër, Kurti është refuzuar dy herë nga presidenti, ndërkohë që Thaçi është refuzuar dy herë nga i pari i Qeverisë.
Ndërkohë, bashkësia ndërkombëtare kërkon nga institucionet e Kosovës që sa më shpejtë të heqin tarifën dhe të hapet rrugë për dialogun. Në veçanti Amerika po insiston se “nuk duhet humbur kohë”.
Ndryshe, duhet theksuar se Kurti e kishte refuzuar Thaçin edhe dy herët të tjera, kur e kishte ftuar për ta marrë mandatin për ta krijuar Qeverinë. Dy krerët e shtetit, deri tani, kanë vetëm një takim 4 minutësh, dhe atë kur Kurti mori mandatarin. Ata nuk janë takuar asnjëherë si dy krerë të institucioneve kryesore./Reporteri.net