Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar ndaj deklaratës së djalit të Donald Trumpit, i cili tha se është koha t’i tërheqim trupat amerikane nga Kosova.
Ai në një postim në faqen e tij në rrjetin social Facebook, ka thënë se marrëdhëniet me SHBA-në kanë hyrë në një fazë shumë delikate por edhe kritike dhe se deklarata e Senatorit Perdue flet qartë se ku jemi.
Mustafa po ashtu e ka bërë të ditur edhe një herë qëndrimin e qartë për heqjen e takses.
“Si kryetar i LDK-së jam deklaruar qartë për heqjen e pakusht të tarifës , ndërkaq që reciprociteti të dakordohet me SHBA dhe BE, varësisht nga sjellja e Serbisë. Ky eshte qendrimi dhe zëri i LDK-së.”
Ai ka njoftuar se do të bashkëbisedojë me Kryeministrin Kurti, si partner i koalicionit, dhe si LDK në ditët në vijim do ti bëjmë të qarta veprimet të cilat e ruajnë partneritetin dhe miqësinë me SHBA-të
Ky është postimi i tij i plotë:
Të nderuar qytetarë,
Marrëdhëniet me SHBA-në kanë hyrë në një fazë shumë delikate por edhe kritike. Deklarata e Senatorit Perdue flet qartë se ku jemi.
S’ka tarifë as reciprocitet që vë në peshojë marrëdhëniet me aleatin tonë kryesor.
Si kryetar i LDK-së jam deklaruar qartë për heqjen e pakusht të tarifës , ndërkaq që reciprociteti të dakordohet me SHBA dhe BE, varësisht nga sjellja e Serbisë. Ky eshte qendrimi dhe zëri i LDK-së.
Konsideroj se nuk ka zë të popullit në Kosovë që rrezikon dhe i vë në pikëpyetje relacionet me SHBA.
Jam në komunikim me Ambasadorin Grenell. E kam dërguar një zyrtar të lartë të LDK-së të bisedojë drejtpërdrejti me te, të informohet për takimin e fundit të Presidentit Thaçi dhe Vuqiç në Washington dhe t’ia prezantojë qëndrimet e LDK-së.
Do të bashkëbisedojë me Kryeministrin Kurti, si partner i koalicionit, dhe si LDK në ditët në vijim do ti bëjmë të qarta veprimet të cilat e ruajnë partneritetin dhe miqësinë me SHBA-të. IM