×
  • Lajme
  • Lajme

    Kosova dhe Mali i Zi – shtetet e vetme në Evropë që nuk janë prekur nga koronavirusi

    Reporteri
    11 Mars 2020 | 10:08

    Raste të reja të të infektuarve me koronavirus, i njohur si COVID-19, kanë filluar të raportohen çdo ditë në mbarë botën.


    Numri i personave të vdekur nga koronavirusi në mbarë botën e ka kaluar shifrën katër mijë të martën. Në Kinë – vendi më i goditur nga virusi Covid 19 – u raportuan 17 vdekje të reja.

    Virusi tashmë është përhapur në më shumë se 100 shtete, ndërsa janë infektuar mbi 110 mijë njerëz, shkruan Reporteri.net.

    Një rast i 15-të i infeksionit është konfirmuar sot në Kroaci.

    Italia ka parë një rritje dramatike në numrin e të vdekurve dhe të infektuarve në epideminë e koronavirusit në 24 orët e kaluara, përkundër futjes së karantinës në Lombardi dhe rajone të tjera veriore në përpjekje për të ngadalësuar përhapjen e virusit, një masë që Organizata Botërore e Shëndetit e ka quajtur të guximshme. Në Itali, 7985 njerëz u infektuan dhe 463 vdiqën.

    Italia regjistroi vdekjet më të mëdha nga virusi Covid-19 nga të gjitha vendet e tjera jashtë Kinës, ku virusi shpërtheu në dhjetor.

    Në Evropë, aktualisht ekzistojnë vetëm dy vende ku nuk është shfaqur asnjë rast i koronavirusit, ndër ta është edhe Kosova, e pasuar nga Mali i Zi.

     

    Ndërkohë, në rajon tashmë janë konfirmuar rastet e para. Së fundmi edhe Shqipëria ka konfirmuar rastet e para. Sipas të dhënave të fundit numri i të infektuarve me këtë virus në Shqipëri ka arritur në dhjetë. Ndërkohë për të parandaluar përhapjen e virusit shkollat janë mbyllur për dy javë dhe fluturimet nga Italia veriore janë anuluar.

    Mbrëmë 7 raste të reja të të prekurve janë shfaqur edhe në Serbi, duke e çuar numrin e të prekurve në 12.

    Numri i të prekurve është rritur edhe në Maqedoni, duke shkuar në tre prej tyre.

    Nga katër shtetet që kufizohen me Kosovën, tashmë të prej tyre kanë raportuar për raste me koronavirus: Shqipëria, Maqedonia dhe Serbia.

    Deri më tash, Kosova nuk ka shënuar asnjë rast të infektuar me koronavirus, duke u bërë kështu një ndër dy shtetet e vetme në Ballkan  por edhe në Evropë që janë të paprekura nga ky virus.

    Ndërkohë pa asnjë rast të prekur me koronavirus është edhe shteti fqinj i Malit të Zi. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!