Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka dalë në një konferencë për media pasi që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti refuzoi edhe një herë ftesën për takim.
Thaçi ka thënë se Kurtin e ka ftuar për të diskutuar për zhvillimet e fundit në vend, të cilat i quan dramatike dhe alarmante, shkruan Reporteri.net.
Ai ka thënë se Qeveria e re duhet që sa më parë të marrë vendim me taksën në përputhje me kërkesat e Amerikës.
Thaçi ka thënë se do t’i dërgojë sërish ftesë për takim kryeministrit Kurti, ngase Kosova nuk është pronë e vetëm një individi, por e të gjithë qytetarëve të saj. Sipas tij ky takim është në interes të vendit dhe se bashkimi i lidershipit në interes të vendit do të shërbente qytetarëve në të mirë.
“Do të ishte në interes që të takohemi. Kosova nuk është pronë e një individi, Kosova është atdhe i të gjithë qytetarëve të saj. Ne duhet të punojmë dhe shkojmë përpara. Mesazhi im përsëri sot është që Qeveria t’i marrë vendimet që i takojnë dhe të mos vonohet me vendimmarrje që e çojnë vendin në rrugë të gabuar. As vet liria, as shteti dhe as vetë ekzistenca jonë nuk ka kuptim pa partneritet me SHBA-të. Jemi dëshmitarë se duhet të jemi pjesë e BE-së, por edhe jemi dëshmitarë se të tjerët mund të na lënë në baltë, siç na kanë lënë për viza. Shpresoj se kryeministri do të gjejë kohë për të ardhur për t’u takuar. Nuk duhet të lejojmë askënd të sillet siç janë sjellur ndaj bombardimeve të NATO-s, presidentit Bush, administratës së Obamës dhe tani të Trump”, ka thënë ndër të tjera Trump”, ka thënë Thaçi. /Reporteri.net