Ambasadori i Republikës së Kosovës në Kanada, Adriatik Kryeziu ka dorëzuar edhe zyrtarisht letrat kredenciale pranë Guvernatorens së Përgjithshme të Kanadasë, shkëlqesisë së saj Julie Payette.
Krahas ceremonisë protokollar Ambasadori Kryeziu është pritur nga shkëlqesia e saj, Guvernatorja e Përgjithshme, Payette në rezidencën e saj protokollare në Rideau Hall, ku në një takim tête-à-tête kanë diskutuar më gjerësisht mbi marrëdhëniet e shkëlqyera që mbretërojnë mes Kanadasë dhe Kosovës.
Ambasadori i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, në emër të Presidentit, Qeverise dhe Popullit të Kosovës ka falënderuar shkëlqesinë e sajë për rolin e fuqishëm që Kanadaja ka luajtur gjatë dhe pas luftës në Kosovë, duke dhënë mbështetjen e saj të pa rezerve e të vazhdueshme në proceset nëpër të cilat ka kaluar dhe po kalon Republika e Kosovës.
Ndër tjerash, në emër të Presidentit dhe qeverisë së Kosovës, Ambasadori Kryeziu pati rastin të ftonte shkëlqesinë e saj, Payette për vizitë zyrtare në Kosovë.
Në këtë ceremoni Ambasadori ishte i shoqëruar nga stafi i Ambasadës dhe Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës në Toronto.
Bëhet e ditur se Adriatik Kryeziu është diplomat karriere. Ai është pjesë i shërbimit të jashtëm-diplomatik të Kosovës që nga themelimi i sajë, respektivisht për më tepër se 12 vite, duke shërbyer në drejtorinë politike të Ministrisë së Jashtme, dhe po ashtu i njëjti ka drejtuar për dy vite misionin diplomatik të Kosovës në Pragë, Republikën Çeke.
Përndryshe, Kanada është ndër vendet e para e cila e ka njohur pavarësinë e Kosovës, ka të vendosura marrëdhënie diplomatike dhe vazhdon ta mbështesë Kosovën në të gjitha proceset e saj shtete formuese e integruese.