×
  • Lajme
  • Lajme

    Rasti i vrasjes së Qerim Kelmendit kalon në Prokurorinë Speciale

    Reporteri
    11 Mars 2020 | 16:08

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës do të hetojë rastin e vdekjes së Qerim Kelmendit, që është gjetur ditë më parë i djegur në fshatin Zahaq të Pejës.

    Lajmin e kanë konfirmuar për Televizionin T7 familjarët e viktimës. Vëllai i Kelmendit ka thënë për Televizionin se kjo tregon seriozitet të prokurorisë, megjithëse shton se ende asnjë prej familjarëve nuk janë marrë në pyetje nga hetuesia.

    Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Qerim Kelmendi, javë më parë u gjet nga policia i djegur në veturën e tij në fshatin Zahaq të Komunës së Pejës.
    Rrethanat se si ka ndodhur rasti ende nuk janë të qarta për organet e rendit. Rasti fillimisht është hetuar në Prokurorinë Themelore të Pejës, megjithatë, më vonë kompetencat i kanë kaluar Prokurorisë Speciale, kjo me qëllimin që të kryhen hetime më efikase.Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i prokurorisë, Shkodran Nikçi.

    “Ju njoftojmë se ky rast gjatë ditës se sotme ka kaluar në kompetencë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar ai.

    Për kalimin e lëndës në prokurorinë speciale nuk kanë pasur informacione familjarët e të ndjerit. Megjithatë, vëllai i Qerim Kelmendit, Osman Kelmendi i ka thënë televizionit se është mirë që Specialja po e trajton këtë rast.

    “Po dëgjoj nga ju për këtë lajm, por është mirë që Specialja e ka marrë këtë rast, kjo tregon seriozitet.
    Ne i besojmë shtetit të Kosovës, por ende nuk jemi intervistuar nga Prokurorit”, ka deklaruar ai.

    Qerim Kelmendi ishte një prej ushtarëve të parë të UÇK-së, mik i heroit Ilir Konushevci dhe vëllai i Ibrahim Kelmendit, njërit nga drejtuesit e Lëvizjes Popullore të Kosovës.

    Për vrasjen e tij kanë reaguar presidenti i shtetit, Hashim Thaçi, ish-kryeministri Ramush Haradinaj dhe bashkëluftëtar të tij.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!