Ministra e Shëndetësisë ka bërë thirrje tek qytetarët e vendit që të shmangin udhëtimet drejt vendeve të cilat tashmë kanë konfirmuar se kanë raste me koronavirus, shkruan Reporteri.net.
Me anë të një njoftimi zyrtar, ata kërkojnë nga qytetarët që t’i shtyejnë apo t’i evitojnë udhëtimet e planifikuara brenda dhe jashtë vendit, qoftë edhe në vendet fqinjë, duke përfshirë edhe Malin e Zi edhe pse atje nuk ka ende asnjë rast të infektuar me koronavirus.
Ata gjithashtu rekomandojnë që të shmangen grumbullimet në hapësira të mbipopulluara dhe t’i kushtohet rëndësi masave të përgjithshme higjienike, si parakusht themelor për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Kujtojmë se në Kosovë ndonëse ka pasur dyshime se ka të infektuar me koronavirus, të gjithë personat e dyshuar pas testimeve kanë rezultuar negativ, duke mbetur kështu një ndër dy vendet e vetme në Evropë së bashku me Malin e Zi që nuk kanë asnjë rast të prekur nga virusi COVID-19.
Ky është njoftimi i tyre i plotë:
Ministria e Shëndetësisë, me qëllim të rritjes së vigjilencës ndaj koronavirusit, ju bën thirrje qytetarëve të vendit që t’i shtyejnë apo t’i evitojnë udhëtimet e planifikuara brenda dhe jashtë vendit, në veçanti në shtetet ku ka raste të konfirmuara të Koronavirsit, duke përfshirë shtetet fqinje (Shqipëri, Maqedoni e Veriut; Mali i Zi dhe Serbi), të shmangin grumbullimin në hapësira të mbipopulluara dhe t’u kushtojnë rëndësi masave të përgjithshme të higjienës, si parakusht themelor për parandalimin e Koronavirusit. Ministria do të ju informojë në vazhdimësi për masat e ndërmarra kundër koronavirusit dhe ju bën thirrje mediave dhe qytetarëve, që informatat për situatën epidemiologjike rreth Koronavirsuit t’i marrin drejtpërdrejt nga institucionet dhe burimet zyrtare./Reporteri/