Partia e Isa Mustafës ka përmendur edhe mundësinë e largimit të trupave amerikane nga Kosova, shkaku i veprimeve të Qeverisë Kurti, pjesë e të cilës është edhe LDK-ja. Ndaj, LDK konsideron se edhe për këtë shkak Qeveria e Albin Kurtit duhet të shkarkohet me mocion mosbesimi në Kuvend, shkruan Reporteri.net.
E për një gjë të tillë, LDK-ja ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve. Deri më tash atyre iu janë zotuar për përkrahje edhe dy partitë opozitare AAK e NISMA. Derisa, PDK-ja e Kadri Veseli ende është e pa vendosur për këtë mocion.
Megjithatë, në LDK jo të gjithë po duan rrëzimin e Qeverisë Kurti. Vjosa Osmani dhe dy deputetë tjerë kanë dalë kundër.
Në dokumentin për mbledhjen e nënshkrimeve për mocion ndaj Qeverisë, grupi parlamentar i LDK-së arsyeton iniciativën duke pretenduar se Qeveria aktuale e vendit përveç tjerash, me veprimet e tyre, kanë rrezikuar prishjen e raporteve me SHBA-në deri në piken që trupat amerikane të tërhiqen krejtësisht nga Kosova.
“… edhe kanë rrezikuar që të tërhiqen trupat amerikane nga Kosova, gjë që do ta rrezikonte automatikisht sigurinë dhe paqen në vend”, thotë arsyetimi i mocionit të LDK-së, shkruan Reporteri.net.
Tutje, aty thuhet se mbështetja e SHBA-ve ndaj Kosovës ka pasur regres, së fundi, si pasojë e kokëfortësisë së Kryeministrit Kurti, duke përmendur specifik edhe tërheqjen e fondeve MCC. /Reporteri.net/.