Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka folur edhe njëherë për situatën me koronavirus në Kosovë.
Thaçi ka thënë se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike është duke e menaxhuar gjendjen dhe kufizuar përhapjen e virusit COVID-19.
Ai po ashtu ka thënë se Policia e Kosovës është në krye të detyrës duke mbajtur rendin dhe ligjin, por ka potencuar se FSK-ja është në gjendje gatishmërie me të gjitha kapacitetet e veta mjekësore dhe logjistike për të ndihmuar në tejkalimin e rrethanave të krijuara nga virusi COVID-19, shkruan Reporteri.net.
Mirëpo, Thaçi nuk ka përmendur shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në vend, për çka ditë më parë tha se ka nënshkruar një dekret.
Njoftimi i plotë:
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike është duke e menaxhuar gjendjen dhe kufizuar përhapjen e virusit COVID-19.
Policia është duke e kryer me përpikëri punën e vet dhe duke e ruajtur rendin dhe qetësinë publike.
Forca e Sigurisë së Kosovës është në gjendje gatishmërie me të gjitha kapacitetet e veta mjekësore dhe logjistike për të ndihmuar në tejkalimin e rrethanave të krijuara nga virusi COVID-19.
Rolin kryesor tani e kanë qytetarët.
Të kujdesemi për higjienën tonë. Ta ruajmë distancën fizike mes nesh. Të dalim nga shtëpitë vetëm kur kjo është e domosdoshme. Këto ditë janë kritike për ta kufizuar përhapjen e COVID-19 dhe për t’i lejuar kapacitetet ekzistuese që të përballen me rastet që paraqiten.
Si shtet jemi të përgatitur dhe po punojmë të gjithë së bashku që t’i shtojmë kapacitetet mjekësore, ta ruajmë furnizimin me ushqime dhe materiale sanitare, të ndërmarrim masa dhe t’i ruajmë punëtorët dhe bizneset, të cilat duhet të ndihmohen me politika lehtësuese në muajt e ardhshëm.
Së bashku do të tejkalojmë edhe këtë sfidë! HTH