Kuvendi i Kosovës ende nuk e ka pranuar dekretin nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi, për të shqyrtuar kërkesën për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme nga virusi COVID-19.
Këtë e ka konfirmuar këshilltari i kryetares së Kuvendit Vjosa Osmani, Artan Murati, i cili ka thënë se deri më tani nuk ka arritur asgjë në Kuvend sa i përket kësaj çështje.
Ndërkohë po sot presidenti Thaçi nëpërmjet llogarisë së tij në Facebook tha se gjendja me kontrollin e koronavirusit është duke shkuar mirë dhe ka lavdëruar punën e policisë, Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.
“Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike është duke e menaxhuar gjendjen dhe kufizuar përhapjen e virusit COVID-19. Policia është duke e kryer me përpikëri punën e vet dhe duke e ruajtur rendin dhe qetësinë publike. Forca e Sigurisë së Kosovës është në gjendje gatishmërie me të gjitha kapacitetet e veta mjekësore dhe logjistike për të ndihmuar në tejkalimin e rrethanave të krijuara nga virusi COVID-19. Rolin kryesor tani e kanë qytetarët. Të kujdesemi për higjienën tonë. Ta ruajmë distancën fizike mes nesh. Të dalim nga shtëpitë vetëm kur kjo është e domosdoshme. Këto ditë janë kritike për ta kufizuar përhapjen e COVID-19 dhe për t’i lejuar kapacitetet ekzistuese që të përballen me rastet që paraqiten. Si shtet jemi të përgatitur dhe po punojmë të gjithë së bashku që t’i shtojmë kapacitetet mjekësore, ta ruajmë furnizimin me ushqime dhe materiale sanitare, të ndërmarrim masa dhe t’i ruajmë punëtorët dhe bizneset, të cilat duhet të ndihmohen me politika lehtësuese në muajt e ardhshëm. Së bashku do të tejkalojmë edhe këtë sfidë!”, shkroi Thaçi.
Pasi pranimit të dekretit, Kuvendi i Kosovës brenda 48 orëve duhet të mbajë seancën për të vendosur.
Më 17 mars pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, presidenti Hashim Thaçi paralajmëroi se do t’i propozonte Kuvendit të miratojë dekretin për të shpallur gjendje të jashtëzakonshme për shkak të koronavirusit.
Një gjë e tillë është kundërshtuar nga Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti.
Në Kosovë sot është konfirmuar rasti i 22 me COVID-19.