Dardan Molliqaj, që dikur ishte njeriu më i afërt i Albin Kurtit, po konsideron se Kryeministri i vendit, në Kosovë po sillet skifter, por ndaj Serbisë pulë.
Sipas kryetarit të PSD-së, në veri të Kosovës është shpallur gjendje e jashtëzakonshme, me ligjet e shtetit serb. Ndërkohë, sipas tij, Qeveria e Kosovës dhe Kryeministri Kurti s’kanë thënë asnjë fjalë. Madje, thotë se në këtë situatë Kurti dhe ekzekutivi i tij ia hoqën taksen 100% shtetit serb.
Ky është reagimi i plotë i Molliqajt:
NË KOSOVË SKIFTER, ME SERBINË PULË
Albin Kurti e kundërshtoi me zell të pakompromis shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme nga Hashim Thaçi. Kishte të drejtë.
Komunat e veriut shpallën gjendje të jashtëzakonshme me ligjet e Serbisë. Asnjë fjalë nga Albin Kurti. U struk bashkë me gjithë qeverinë e tij. Dhe çka bëri? Hoqi pjesërisht taksën – për arsye propagandistike. E theu edhe premtimin e vet që taksa do të hiqet veç kur Serbia e ndal agresionin.
Dhe s’është që Albin Kurti nuk vepron ashpër dhe me rrezik. Rrezikoi marrëdhëniet me SHBA-të, rrezikoi menaxhimin e situatës së virusit në Kosovë, por nuk rrezikoi kur Serbia veproi në veri të vendit sikur të ishte pjesë e territorit të saj. Pra Albin Kurti rrezikon për pushtet absolut për vete. Asnjëherë për të mirën e Kosovës.
P.S.
Sot xhandarmëria e Serbisë patrulloi edhe në Karaçevë sikur të ishte në territor të Serbisë. Dhe sërish as një fjalë të vetme nga Kurti; as një veprim sovran shtetëror.