×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Rama kërkon falje për videon ‘Fake’, por nuk tërhiqet: Mesazhi qëndron 100%

    Reporteri
    21 Mars 2020 | 20:18

    Kryeministri Rama ka reaguar në lidhje me një video të publikuar prej tij në lidhje me masat për mospërhapjen e koronavirusit, pamje të cilat vinin nga një protestë antiqeveritare në Algjeri dhe jo nga Spanja, ashtu siç shkruante kreu i qeverisë.


    Rama ka kërkuar ndjesë publike për videon, duke thënë se ia kishte sjellë një mik shqiptar që jeton në Itali. Kryeministri ka shtuar më tutje se për herë të parë ra dhe ai viktimë e ‘qytetarit dixhital’ (ironi ndaj Sali Berishës), por nga ana tjetër, Rama ka theksuar se video do të qëndrojë pasi sipas tij mesazhi është 100% në këmbë, ai që del nga banesa duke shkelur rregullat e ‘shtet-rrethimit’ do të përballet me forcën e policisë dhe ligjit.

    POSTIMI I RAMËS:

    Videon e postuar diku më parë, ku shkruhet se ka ndodhur në Spanjë, ma dërgoi një mik shqiptar nga Italia, i cili padiskutim ashtu e dinte dhe i dëshpëruar me ca pamje sot paradite në tregjet e Tiranës, më shkruante “Shikoje ç’bën policia në Spanjë”!

    E postova jo pa qëllim pas mesazhit tim të sotëm, ku ju thashë hapur se nuk do të ketë më asnjë tolerancë nga forcat e rendit.

    Tani marr vesh që qenkan pamje nga Algjeria!
    Ndjesë sinqerisht për pasaktësinë e paqëllimshme, që paska frymëzuar edhe një deklaratë gjithë akuza e budallallëqe të Partisë Demokratike! Rashë edhe unë njëherë viktimë e “qytetarit dixhital”??

    Të gabosh është njerëzore, po rëndësi ka të mos bësh gabime të qëllimshme dhe të kërkosh ndjesë kur gabon!

    Por, duke qenë se as “qytetari” në fjalë, as unë dhe as shumica dërrmuese e juaja që ka komentuar pozitivisht në atë postim, nuk kemi pasur hallin e vendit të ngjarjes, po kemi hallin e madh të nevojës për reagimin e domosdoshëm me zero tolerancë kundër atyre që na rrezikojnë të gjithëve, me sjelljen e tyre të papërgjegjshme, postimi nuk do të lëvizë nga vendi (natyrisht duke hequr fjalën Spanjë) dhe mesazhit të tij i qëndroj 100% pa asnjë diskutim!

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!