×
Opinione

Pritshmëritë e pabazuara na sjellin trishtim!

Reporteri
27 Mars 2020 | 16:50

Autor: Anton Berisha 


“Pritshmëritë e larta janë rrënjët e çdo trishtimi”, – thoshte shekuj me pare gjeniu i letrave, Shakespeare.


Me gjasë trishtimi i botës në ketë kohë pandemie është pritja që shkenca, teknologjia, organizimi shtetëror e ndërshtetëror kishte krijuar bindjen se njeriu nuk mundet përnjëherë të rrezikohet nga një, siç e quajti filozofi Zizek, “virus i marre.”

Kosova e mësuar me telashe, sikur iu duk pak kjo, prandaj ia shtoi edhe krizën politike, rrëzimin e qeverisë. Ajo, nuk hyri në krizë politike, siç u theksua nga disa, duke përfshirë edhe media të shkruara të huaja, ajo vetëm vazhdoi krizën politike në të cilën ndodhet defacto që nga fillimi i dialogut me Serbinë, e që në fakt u bë burim i pashtershëm i destabilitetit politik në Kosovë, për gati një dekadë.

Në prag të zgjedhjeve të 6 tetorit, unë publikisht u deklarova për një koalicion LDK-AAK, derisa pa zhurmë zhvillova biseda e takime me lidershipin e të dy partive për të arritur në një liste të përbashkët, por që nuk arritëm ta konkretizonim.

Arsyeshmëria politike për një koalicion të tillë sipas meje qëndronte në faktin se këto dy parti kishin qeverisur se bashku pa ndonjë traumatizim dhe diferenca të mëdha, në përgjithësi ekzistonte një respekt i ndërsjellë, hiç raste te individualizuara të karakterit individual e lokal, si dhe fakti që ideologjikisht AAK kishte figura që së paku tentonin të anonin kah e djathta, që do të krijonte lehtësim programi dhe mënyrës se qeverisjes.

Megjithatë, u vendos për koalicionin ndërmjet LDK-së dhe VV-së, si bashkim opozitar për të krijuar një mundësi të ndryshimit të gjendjes dhe për të krijuar një model qeverisjeje, qe u quajt i shpresës, për një Kosovë me rend, ligj, lufte kundër korrupsionit e krimit, shërbime korrekte e prosperitet ekonomik. Duke i pare anët e mira të këtyre partive, masa e gjerë por edhe unë vet, ndonëse me maturi, doja të besoja në arsyeshmërinë e qasjes dhe vënien në qendër të interesit shtetëror duke lenë në rend të dytë interesin partiak.

Megjithatë, ky iluzion zgjati shkurtë, më shkurt se çdo kombinim politik qeveritar në historinë e pasluftës, ngase, u dëshmua që Kosova nuk ka kulturën politike e as të përgjithshme të tipit gjerman, për të funksionuar kombinimi i të majtës me të djathtën.

Përderisa VV-ja, nuk arriti te dëshmoj konceptin e ndarjes ideologjike të modelit të udhëheqjes partiake e shtetërore, LDK-ja u përplas me partnerin e vet, por edhe brenda vetes për shkak të një prezence botëkuptimi majtist edhe në vet radhët e saj. Megjithatë, mocioni u votua nga shumica e deputeteve të LDK-së, që si rezultat mospajtimin ndërpartiak e konkretizoi me prishjen e koalicionit dhe rënien e qeverisë.

Debatet para, gjatë e pas seancës së mocionit, mund të jenë të pafundme, nga të dy palët apo nga palë të tjera, por për mua ato nuk kane ndonjë peshë, ngase thelbi i mospajtimit është modeli qeverisës që e theksova më lartë.

Sulmet qe pasuan më vonë duke pasur në fokus LDK-në, qofshin nga brenda, qofshin nga Shqipëria por edhe jashtë hapësirave tona, nuk paraqesin ndonjë risi, ngase ato kanë ndodhur që nga themelimi i saj nga dr. Rugova, i cili është politikani i vetëm shqiptar nga paslufta e dytë, që ka jetësuar politikisht dhe institucionalisht filozofinë e së djathtës europerëndimore.

Për fat të keq, ne vazhdojmë t’i vuajmë pasojat e vendimeve të pas Luftës se Dytë Botërore, kur ne shqiptaret u lamë në hemisferën e Lindjes, duke u copëtuar në shtete e republika, me organizime shtetërore e ideologjike komuniste sipas diktatit të Rusisë dhe Serbisë. Si duket, ky mentalitet është futur thellë në boten shqiptare, kështu që kultura e ideologjia lindore është duke determinuar edhe mënyrën e qeverisjes.

Kjo u pa qarte, në gjithë këto dekada pas rënies së komunizmit, kur ne nuk po arrijmë të stabilizojmë shtetet tona, ngase vlerat sublime te demokracisë perëndimore, që janë koordinimi, konsultimi, kompromisi dhe shpërndarja proporcionale e të mirave dhe e vet pushtetit nuk janë bërë pjesë e kulturës tonë.

Ne, vetëm po alternohemi prej një ekstremi në tjetrin, që për fat të keq po e zgjate agoninë dhe po i shndërron pritshmeritë në trishtim.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!