×
  • Lajme
  • Lajme

    Qeveria Kurti lejon që mjekët nga Serbia të kujdesen për komunitetin serb

    Reporteri
    02 Prill 2020 | 16:51

    Qeveria e Kosovës u ka dhënë leje të përkohshme dhjetëra profesionistëve shëndetësorë nga Serbia për t’u kujdesur për qytetarët serbë të Komunës së Graçanicës gjatë situatës emergjente me COVID-19.


    Më 27 mars, Ministria e Shëndetësisë ia ka dhënë dritën e gjelbër dhjetëra profesionistëve shëndetësorë nga Serbia, të dërguar në Kosovë për të ofruar shërbime mjekësore në Komunën e Graçanicës.

    Një email i brendshëm komunikimi ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, të cilën e ka siguruar Insajderi, dëshmon mbështetjen që Ministria e Shëndetësisë i ka dhënë kësaj iniciative.

    “Ministria e Shëndetësisë mbështet iniciativën e profesionistëve shëndetësorë për ofrimin e shërbimeve shëndetësore për Komunën e Graçanicës”, thuhet në emailin që Qendra Operative Emergjente e Ministrisë së Shëndetësisë i ka dërguar Ministrisë së Punëve të Brendshme.

    Në këtë komunikim, Ministria e Shëndetësisë bën të ditur se personeli mjekësorë që do të vijë nga Serbia, do të duhet të dëshmojë me dokumente relevante profesionin e tyre prej mjeku.

    “Po ashtu, të gjithë personat personat fizik duhet t’iu nënshtrohen kontrolleve mjekësore në pikat kufitare dhe t’iu përmbahen rregullave dhe rekomandimeve të IKShPK-së”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

    Lidhur me këtë çështje ka reaguar të martën edhe Partia Demokratike e Kosovës.

    Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Betim Gjoshi, e ka quajtur skandal lejen që Qeveria e Kosovës u ka dhënë mjekëve dhe infermierëve nga Serbia. Ka thënë se bëhet fjalë për një marrëveshje të fshehtë.

    “Kryeministri i shkarkuar, Albin Kurti, Ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla – i kanë dhënë Serbisë LEJE FSHEHURAZI për të dërguar në territorin e Kosovës gati 100 mjekë e infermierë për t’u marrë me pandeminë e koronavirusit tek qytetarët serbë të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Gjoshi.

    Nga zyra për media e Ministrisë së Shëndetësisë ka thënë se më së largu deri nesër do të japin sqarime për rastin.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!