Qeveria Kurti, edhe pse e shkarkuar nga Kuvendi, ka vazhduar të emërojë borde të ndërmarrjeve publike. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre emërimeve janë politike, të anëtarëve të partisë së kryeministrit në shkuarje – Lëvizja Vetëvendosje.
Megjithatë, në një nga bordet që ka patur emërime sonte, me anë të vendimit të Qeverisë, një anëtari/drejtori i është vazhduar mandati.
Fjala është për Enis Berishën, që deri sot ka qenë vetëm anëtar/drejtor i bordit të “Infrakos”, e ndërsa nga sot e tutje, Berisha do të jetë kryesues i këtij bordi të drejtorëve, me vendim të qeverisë së shkarkuar nga Kuvendi, shkruan Reporteri.net.
Berisha, që dikur kishte qenë drejtor i përgjithshëm i Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave, më shumë sesa për ndonjë punë, mbahet mend për vetëm një gjë.
Ai, nga viti 2014 deri në vitin 2016, si drejtor i përgjithshëm i ARH-së, ia kishte aprovuar vetës hiq më pak se 30 udhëtime jashtë vendit.
E vlera e këtyre udhëtimeve kishte arritur në 23 mijë euro të shpenzuara për të.
Madje, sa ishte drejtor i Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave, mediat kishin raportuar se Enis Berisha përpos pagës së drejtorit për dy vjet e shtatë muaj është paguar edhe si anëtar i Bordit të këtij institucioni, ndonëse bordi nuk ka qenë funksional, shkruan Reporteri.net.
Paga mujore e anëtarit të Bordit kishte qenë 490 euro, ndërsa në total, gjatë asaj periudhe llogaritej se Berisha ka marrë në mënyrë joligjore rreth 18 mijë euro nga shteti.
Ai kishte reaguar në atë kohë në lidhje me këto raportim.
“Sipas Ligjit Nr. 04/L-063 për Hekurudhat e Republikës së Kosovës, nenit 38, paragrafi 5, ARH në bazë të kompetencave të cilat i mbulon, merr pjesë dhe përfaqëson sektorin e hekurudhave të Kosovës në organizatat dhe organet kompetente brenda dhe jashtë shtetit.
Prandaj, si ish-drejtor i Përgjithshëm dhe Zyrtar Kryesor Administrativ i ARH-së, në bazë të Ligjit të Hekurudhave dhe kompetencave që i kam pasur, e në mungesë të Bordit Mbikëqyrës për tri vite pa fajin tim. Kam marrë pjesë dhe kam përfaqësuar sektorin e hekurudhave të Kosovës në organizatat dhe organet kompetente brenda dhe jashtë shtetit, me përkushtim dhe profesionalizëm dhe me një kontribut shumë të madh për ARH, dhe në përgjithësi për sektorin hekurudhor.
Kam marrë pjesë dhe përfaqësuar ARH-në, në takimet dhe konferencat të cilat janë organizuar nga organet kompetente të sektorit hekurudhor, siç janë: Unioni Botëror i Hekurudhave, Agjencia Evropiane e Hekurudhave, Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Hekurudhor, Bruksel, mbledhjet plenare në Grupin e Rregullatorëve të pavarur hekurudhor (IRG- Rail), takimet bilaterale me rregullatorët hekurudhorë të Gjermanisë, Francës, Austrisë, Zvicrës, Turqisë, Sllovenisë, Kroacisë, Malit të Zi, Maqedonisë, Shqipërisë, si dhe pjesëmarrje në takimet dhe konferencat rajonale dhe ndërkombëtare tjera shumë të rëndësishme për sektorin hekurudhor, si dhe në takimet e raportit të Progresit në Bruksel.”, kishte thënë ai ndër të tjera.
Bashkë me Berishën, miratimin nga kabineti qeveritar në shkuarje, si anëtar të Bordit të Përkohshëm të ndërmarrjes publike qendrore “Hekurudhat e Kosovës – Infrakos” Sh.A. , e kanë marrë edhe Vjollca Jashari, drejtore; Artan Dermaku, drejtor; dhe Abdullah Lala, drejtor.
Artan Dermaku, është anëtar i LVV-së, partisë së kryeministrit Albin Kurti.