×
  • Lajme
  • Lajme

    Kosovarja që jeton në Suedi: Dalim ende në kafene, nuk jemi të izoluar

    Reporteri
    05 Prill 2020 | 10:29

    Shqiptarët po shijojnë kafetë në rrezet e ngrohta pranverore në tarracat e kafeneve në qytetet suedeze.


    Suedia, ndryshe prej shteteve të tjera, ende nuk ka marrë masa radikale për kufizimin e jetës publike.

    “Të vetmen gjë që e kanë ndaluar është me pi pije në banak në bare. Afër banakut nuk mundesh me porosit, por prej tavolinës po”, thekson Samira Shala, mësimdhënëse e muzikës në një shkollë fillore në qytetin Osby. “Përndryshe, krejt gjërat vazhdojnë me funksionu qysh duhet”, shkruan KOHA.

    Flamujt partiakë bien para atij kombëtar

    Shteti skandinav gjatë javës ka rrokur vëmendjen e mediave botërore për shkak të qasjes ndryshe të Qeverisë së atjeshme për luftimin e koronavirusit.

    Anketimet e fundit tregojnë se gjysma e qytetarëve të kryeqytetit, Stokholm, po vazhdojnë jetën si para shpërthimit të pandemisë.

    Autoritetet qendrore kanë mbyllur shkollat e mesme dhe universitetet, të cilat po vazhdojnë mësimin online. Hapur ende janë shkollat fillore dhe çerdhet.

    Suedia ka identifikuar deri të enjten në mesditë katërmijë e pesëqind raste. Prej tyre, 239 të prekur kanë vdekur, ndërkaq 402 janë nën kujdes intensiv.

    “Janë raste të moshës së shtyrë tetëdhjetë e nëntëdhjetëvjeçare. Suedia e ka qëllim me shpëtu moshën shtatëdhjetëvjeçare”, u referohet të dhënave zyrtare, Bashkim Jashari, mësimdhënës muzike dhe aktivist shqiptar që me familje jeton e punon në Malmo. Ish-kryetari i qendrës kulturore “Okarina”, thotë se të gjitha partitë politike pa dallim janë bashkuar për ta fituar luftën kundër koronavirusit.

    “Të gjitha partitë, edhe ato në opozitë i kanë ulur flamujt partiakë kur dalin nëpër konferenca dhe e kanë vetëm atë suedez”, thekson Jashari, lindur në Prekaz të Skenderajt.

    Megjithatë, pandemia e ka bërë të veten. Shala thotë se rrugët janë dukshëm më të qeta se normalisht. Edhe shoqatat e bizneseve kanë alarmuar gjatë javës për pasojat e pandemisë në ekonomi. Qeveria përditë po del me masa stimuluese financiare që synojnë mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë ekonomike.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!