Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka folur pas kritikave se Serbia ka shpallur karantinën në veri të vendit.
Ai mohon këtë përmes një video-mesazhi, ku thotë se është Ministria e Shëndetësisë e cila ka marrë vendimin për futjen në karantinë të Mitrovicës veriore.
“Së fundmi, është sërisht Ministria e Shëndetësisë ajo që e ka shpallur karantinën edhe në dy komuna tjera: në komunën veriore të Mitrovicës dhe në komunën e Zvecanit, mirëpo nnuk kemi dashur ta bëjmë këtë gjë me tupan, në mënyrë që krizën shëndetësore të mos e thellojmë edhe me një tjetër. Ka pasur një dasmë në Zvecan para dy javësh, e cila e ka shkaktuar shpërndarjen e virusit Covid-19 atje”, ka deklaruar Kurti, shkruan Reporteri.net.
Ai më tej ka pohuar se Kosova po ndihmohet nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Kemi numër rekord të testimeve, po na vijnë ndihma e mbështetje nga BE dhe ShBA, numri i të infektuarve është 140, i të shëruarve është 23, gjersa kemi një të vdekur”, tha Kurti.
Kujtojmë se situata në veri i ka shtuar kritikat ndaj Qeverisë së Kosovës, pasi është raportuar se për masat e marra atje, autoritetet lokale në veri nuk janë konsultuar fare me institucionet e Kosovës.
Autoritetet lokale në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe futën në karantinë komunën e Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanin, pas raportimeve për mbi 20 të prekur nga koronavirusi në këto dy qytete. /Reporteri.net/.