Vite më parë partia e tij, Vetëvendosje, protestonte para objektit të Radio Televizionit të Kosovës, por sot Albin Kurti si kryeministër në detyrë, si dhe anëtarët e kabinetit qeveritar kanë vizituar RTK-në ku janë pritur nga drejtori i përgjithshëm, Ngadhnjim Kastrati.
Kurti shoqërohej nga ministrat Bislimi, Vitia, Hajdari, Bajrami dhe zëvendësministrja Hoxha.
Gjatë diskutimit të tyre u fol për bashkëpunimin sa më të mirë në kohë pandemie me qëllim të informimit të drejtë të qytetarëve.
Sipas RTKlive.com, Radio Televizioni Publik i Kosovës u vlerësua për kontributin që po jep në mbështetje të mësimit në distancë dhe për pandeminë.
Delegacioni qeveritar më pas vizitoi ambientet e RTK-së për të parë kushtet në të cilat zhvillohet puna aty.
Kujtojmë se Kurti intervistën e parë si kryeministër e kishte dhënë pikërisht për RTK-në, madje kishte thënë fjalë miradie duke deklaruar se ai “ka respekt për publiken”. /Reporteri.net/.