Situata e krijuar në Veri të Mitrovicës, komunë kjo e cila është futur në karantinë me urdhër të Beogradit, ka ngjallur reagime të shumta nga akterët politikë në vend, por edhe nga faktori ndërkombëtar, shkruan Gazeta Metro.
Së fundmi për këtë çështje ka reaguar edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, të cilët e konsideruan se është koha që të lihen mënjanë dallimet politike dhe debatet e padobishme, duke shtuar se Kosova duhet të forcojë bashkëpunimin ndërinstitucional dhe bashkëpunimin rajonal në mënyrë që të mundësojë çdo ndihmë për ata të cilët preken nga Covid-19.
Kështu është thënë nga Ambasadorja e BE’së në Kosovë, Nataliya Apostolova në një përgjigje të shkruar dhënë Gazetës Metro, përmes zyres së saj të shtypit.
“Në rrethana të tilla urgjente është koha për të lënë mënjanë dallimet politike dhe debatet e padobishme. Kosova duhet të forcojë bashkëpunimin ndërinstitucional dhe bashkëpunimin rajonal në mënyrë që të mundësojë çdo ndihmë të mundshme për ata që preken nga COVID-19.
Në këtë kontekst, unë e lavdëroj shumë deklaratën e përbashkët të lëshuar nga Ministri Vitia dhe nga Ministri Jevtić më 2 prill dhe të gjitha përpjekjet e tjera të institucioneve të Kosovës që synojnë rritjen e bashkëpunimit dhe ofrimin e mbështetjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e Zyres së BE’së për Metron.
Tutje thuhet se e rëndësishme është që qytetarët, në tërë Kosovën, jo vetëm në Veri, por në çdo komunë të marrin informacione të qarta se cilat shërbime janë në dispozicion të tyre dhe si mund të ndihmohen në parandalimin e përhapjes së kësaj sëmundje dhe në rast të infektimit.
“Shoqëria e Kosovës, si shumë nga ato në Evropë dhe në mbarë botën, po përballet me një krizë të pashembullt shëndetësor që urgjentisht ka nevojë për një përgjigje në kohë nga të gjitha autoritetet e Kosovës, shoqëruar me reagim dhe bashkëpunim nga të gjithë qytetarët e saj. Vetëm duke supozuar një frymë bashkëpunimi dhe solidariteti ne mund të kapërcejmë së bashku efektet e pandemisë COVID-19”, thuhet tutje në reagim.
Kujtojmë se në komunën Veriore të Mitrovicës dhe në Zveçan, Serbia ka urdhëruar që të shpallet gjendje emërgjente të shëndetit publik, gjë që nga Kryeministria e Kosovës thonë se Ministria e Shëndetësisë është e përfshirë në këtë situatë, duke shtuar se ministri Vitia është në komunikim të rregullt dhe të vazhdueshëm me kryetarët dhe autoritetet përgjegjëse në këto komuna.