×
  • Lajme
  • Lajme

    Ismaili: Kurti ka hyrë në lojën e Presidentit Vuçiq dhe do të përfundoj me humbje për Kosovën

    Reporteri
    06 Prill 2020 | 13:28

    Ish-ministri i Shëndetësisë njiherit Sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili pas gjendjes së krijuar politike në vend reagon ky i fundit duke e kritikuar kryeministrin në detyrë , Albin Kurtin.


    Ismaili ka akuzuar Kurtin se ka hyrë në lojën e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vucic, shkruan Reporteri.net

    Ku sipas Ismailit këto lojëra që po i bënë Kryeministri në detyrë, do të përfundojnë me humbje për vet atë por edhe për Kosovën.

    Postimi i plotë:

    Kryeministri Kurti mes shumë gabimesh ka nisur një lojë të re, për ta fituar simpatinë e bashkësisë ndërkombëtare, raportet me të cilën i ka thellësisht të çara. Me letrat e një projekti të rrezikshëm në duar, bashkë me disa ndërkombëtarë që janë kundër pavarësisë së Kosovës, ka nisur të bëjë lëshime ekstreme në veri. Për të mbetur disi në radarin e tyre, e për të mbijetuar politikisht jashtë, ai po sakrifikon gjithçka brenda. Ajo që e dëshmon më së shumti këtë skenar është rifaktorizimi i UNMIKU-t si palë ndaj Vuçiçit.

    Këtë rrethanë të izolimit nga qendrat kryesore ndërkombëtare të Kurtit, si dhe situatën me pandeminë, Serbia dhe Aleksandar Vucic do ta shfrytëzojnë për qëllimet e tyre në Kosovë.

    Me spotin e tij, si “vëllazërim-bashkim” me Agimin dhe Goranin, Kryeministri tentoi ta largonte vëmendjen nga e vërteta brutale që sot është në veri. Në fakt, kjo është ajo që e dëshiron shteti serb. Të merremi sa më pak me veriun, në mënyrë që atje të veprojë sa më lirshëm dhe mundësisht sa më papengueshëm.

    E vërteta është se komunat në veri janë vendosur në karantinë dhe qytetarëve atje u është kufizuar lëvizja, për shkak të pandemisë, me urdhër nga Beogradi. E vërteta tjetër është se Kryeministri Kurti, për ta larguar vëmendjen nga ky fakt, vendosi të akuzojë për tradhti. Një metodë e vjetër kjo e tij, e njohur tashmë nga të gjithë, që sa herë i zihet “bishti me rrotë”, bërtet për “tradhtinë”.

    Më e drejtë do të ishte po të tregonte për agresionin që Serbia po e ushtron në veri, e të kërkonte ndihmë nga partitë shqiptare. Por, jo. Ai lypi ndihmë nga Agim Bahtiri, që ditë më pari tmerroi qytetarët duke folur për vëllavrasje, dhe nga Goran Rakic i Listës Serbe.

    Albin Kurti, me naivitet dhe pa përvojë, me mungesë totale të përgjegjësisë dhe guximit, ka filluar të hyjë në lojën e Aleksandar Vucicit. I goditi liderët shqiptarë, u kërkoi qytetarëve të rrijnë të qetë, ndërsa veriun ua la Rakicit, Gjuriqit, e disa ndërkombëtarëve që për karrierë të tyre – të gjitha do t’ia dorëzonin Serbisë.

    Por, kjo lojë as nuk do ta thyejë izolimin ndërkombëtar të Kurtit, e as nuk do ta mbrojë sovranitetin në veri. Kjo lojë nuk mund të përfundojë ndryshe pos me humbje. Për Kurtin dhe për Kosovën.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!