Me tu konfirmuar, një ditë pas vdekjes se 65 vjeçarit nga fshati Sazli i komunës së Ferizajt, se ai kishte qenë i infektuar me Coronavirus, nëntë punonjës shëndetësorë të Spitalit Rajonal të kësaj komune, sot, kanë hyrë në vetëizolim dhe janë në procedurë të nënshtrimit të testeve për COVID-19.
Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Online “Reporteri.net”, drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Ferizajt, Jeton Zeqiri.
Megjithatë, Zeqiri, ndonëse thotë se mjekët nuk kishin dyshuar se pacienti i cili në spital u pranua për sëmundje të zemrës, mund të jetë i infektuar me COVDI-19, ai shprehet i sigurt se stafi shëndetësorë nuk kanë qenë të rrezikuar nga bartja e infeksionit.
Kjo sipas drejtorit të përgjithshëm, pasi me të konfirmuar rastet e para me Coronavirus në Kosovë, të gjithë personali i spitalit të Ferizajt janë pajisur me të gjitha mjetet dhe masat e nevojshme për parandalimin e përhapjes së pandemisë. Prej ditës së parë stafi është me masa mbrojtëse.
“Pacienti kur ka ardhë nuk ka qenë i dyshimtë për coronavirus. Ai ka qenë pacient i njohur për ne. Është trajtuar edhe me herët, para 6 muajve në spital tek ne”, thotë Zeqiri.
“Por ne prej ditës së parë, stafi është me masa mbrojtëse, me dorëza, masakra, kapela, dezinfektues, etj. Me të gjitha çka nevojiten”, thotë ai.
Megjithatë sipas tij, përkundër se nuk ndjehen të rrezikuar për ndonjë infektim të mundshëm, 9 punonjës të këtij spitali qysh të martën janë vetëizoluar, me tu konfirmuar se pacienti 65 vjeçar që ka vdekur dje, pas transferimit në QKUK, kishte qenë i infektuar me COVID-19.
“Masi është rasti i parë tek ne dhe staf kemi mjaftueshëm, një pjesë e stafit, pra 9 persona janë vetëizoluar, përfshirë 2 mjekë, infermierët dhe një laborante”, tha ai për Reporteri.net.
Tutje, Jeton Zeqiri, gjatë bisedës me Reporteri.net, tregoi se pacienti në Spitalin Rajonal të Ferizajt, ishte trajtuar në një dhomë ku kishte qëndruar i shtrirë vetëm ai, ndaj sipas tij nuk janë rrezikuar as pacientët tjerë të spitalit, përkundër se thekson se nuk kanë qenë në dijeni se pacienti që, dje, më vonë ndërroi jetë në QKUK, kishte qenë i infektuar me Coronavirus.
Megjithatë, sipas drejtorit të spitalit në Ferizaj, me tu konfirmuar pozitiv, pas vdekjes, në spital është sterilizuar dhoma ku ka qëndruar pacienti.
Ndryshe, Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetësisë Publike të Kosovës, sot në mëngjes kanë njoftuar se pacienti I.SH., nga komuna e Ferizajt, pasi është transferuar dje në gjendje të rendë shëndetësore nga spitali i këtij qyteti, në QKUK në Prishtinë, i njëjti për shkak të arrestit kardiak, ka vdekur.
“I njëjti ka rezultuar pozitiv në Covid-19 pas testimit, post mortum”, është bërë e ditur në njoftimin e së martës.
I moshuari prej kohësh ishte duke punuar si vozitës në kampin “Bondsteel”. /Reporteri.net/.