×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti u premton romëve: Qeveria do të krijojë kushte të barabarta, do bëjmë politika favorizuese

    Reporteri
    08 Prill 2020 | 14:21

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar romët e Kosovës në Ditën Ndërkombëtare të tyre, duke thënë se “ndajmë të njëjtin fat pasi kemi shtetin e përbashkët”.


    Kuri ka premtuar se Qeveria e tij do të krijojë kushte të barabarta e madje, sipas tij, do të krijohen edhe politika favorizuese për ta, shkruan Reporteri.net.

    Rëndësi të vecantë, Kurti i ka kushtuar arsimimit. Ai ka thënë se do të punojë për t’u hequr barrierat që të rritet niveli i arsimimit në vecanti, e po ashtu edhe i banimit.

    Publikimi i plotë nga kryeministri:

    Të dashur qytetarë të komunitetit Rom,

    Më lejoni t’ju uroj e përgëzoj për Ditën Ndërkombëtare të Romëve!

    Është e vërtetë që si individ ne kemi tregime të veçanta por si shoqëri ndajmë fatin e njëjtë sepse kemi shtetin e përbashkët.

    Ne nuk pushojmë e nuk ndalemi së punuari derisa të gjithë qytetarët pa përjashtim e pa dallim të kenë mundësi dhe shanse të barabarta për zhvillim.

    Nuk ndalemi sepse, për dallim nga tjerët, ne progresin shoqëror nuk e matim me kushtet, mundësitë dhe mirëqenien e atyre që gjenden në majë, por me mundësitë dhe mirëqenien e atyre që gjenden në fund. E në fund, fatkeqësisht janë shumë: afër 18% e qytetarëve tanë jetojnë nën kufirin e varfërisë.

    Por varfërinë duhet ta luftojmë me edukim kurse paragjykimet me bashkëpunim.

    Kushtetuta jonë e cila nesër e ka ditën e saj u garanton minoriteteve të drejta të veçanta, krahas të drejtave dhe lirive themelore që i gëzon çdo qytetar i republikës. Kemi ligje, strategji, agjenci e fonde të veçanta që më shumë na veçojnë e dallojnë sesa që na bëjnë bashkë.

    Mungesa e edukimit, punësimit e banimit dhe e pjesëmarrjes në jetën publike nuk janë problem i komuniteteve që ato duhet t’i zgjidhin të vetëm e ndaras por problem yni i përbashkët.

    Qeveria me politikat e saj do të krijojë kushte dhe mundësi të barabarta për të siguruar të drejta të barabarta. Prandaj ne do të ndërhyjmë me politika favorizuese aty ku shfrytëzimi i të drejtave pamundësohet nga mungesa e mundësive.

    E ardhmja jonë është tek edukimi cilësor i fëmijëve tanë, andaj do të heqim barrierat për mësim sikurse distanca e largët nga shkollat, kualiteti i dobët e ushqimi i munguar. Secili fëmijë do të ketë kushtet e barabarta për mësim cilësor pa paragjykuar se prej nga vjen dhe sa fitojnë prindërit e saj apo tij.

    Le të punojmë çdo ditë bashkë sepse kemi shtetin dhe ardhmërinë të përbashkët!

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!