Deputetja e PDK’së, Blerta Deliu ka kërkuar nga kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmanin që të sqarojë se pse nuk janë publikuar ende votat e dhëna në seancën për mocionin ndaj qeverisë Kurti.
Deliu ka shkruar në Facebook se si pasojë teknike është raportuar se kanë qenë 82 vota për, kur numri realisht do të duhej që të ishte më i madh.
“Nga mungesa e përmirësimit të procesverbalit me të dhënat e sakta, edhe sot në opinion po manipulohet me numrin e deputetëve mbështetës të mocionit duke deklaruar se ishte 82.
Kujtoj këtu se pjesëmarrës të shpallur në seancë ishin 117 deputet nga të cilët abstenues ishte 1 deputet dhe votat kundër mocionit ishin 32 (duke përfshirë këtu Osmanin dhe dy deputetët e saj brenda LDK-së). Kjo do të thotë se votat për rrëzimin e qeverisë duhet të kenë qenë së paku 84 e jo 82 sikurse u raportua”, ka shkruar ajo.
Sipas deputetes, kjo përbën shkelje të rëndë të vullnetit të deputetit dhe detyrimeve kushtetuese nga ana e drejtueses së Kuvendit.
“Numri i saktë i votave mund të gjendet lehtë duke shqyrtuar xhirimet televizive të momentit të votimit por edhe duke u konsultuar me drejtuesit e grupeve parlamentare të cilët raportojnë saktë vullnetin e pjesëtarëve përkatës.
Kryetarja e Kuvendit duhet ta obligojë sa më parë sekretariatin ta përmirësojë procesverbalin dhe të ofrohen të dhënat e sakta mbi mbarëvajtjen e seancës për votimin mocionit të mosmbesimit ndaj Qeverisë”, ka shkruar Deliu.
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.