Trajneri i Ballkanit, Ismet Munishi, beson se përhapja e koronavirusit në botë e ka sjellë një detyrë të vështirë për UEFA-n dhe FIFA-n, të cilat tani e kanë në duart e veta ta shpëtojnë futbollin nga kjo krizë.
Përhapja e koronavirusit ka bërë që pothuajse të gjitha kampionatet në botë të pezullohen dhe futbollistët të detyrohen të stërviten vetëm nëpër shtëpitë e tyre, pasi që ata janë udhëzuar të vetizolohen dhe seancat stërvitore në klube janë anuluar, transmeton Gazeta Express.
Ende nuk dihet se kur do të ketë mundësi të kthehet futbolli në fushën e blertë, mirëpo trajnerët tashmë e kanë shprehur shqetësimin e tyre se lojtarët nuk do të jetë në formë të mirë kur të rinisin kampionatet, për shkak të mungesës së stërvitjeve me skuadër.
Munishi ka insistuar se dy shtëpitë e mëdha të futbollit, UEFA dhe FIFA, janë para një testi të vështirë, pasi që prej tyre do të varet se sa do të mund të shpëtohet futbolli nga rreziku që ka sjellë koronavirusi.
“Kriza mund të tejkalohet me mirëkuptim dhe me ndihma nga instanca më të larta. FIFA dhe UEFA gjenden para një provimi shumë të vërtetë. Ata gjenden para provimit ta shpëtojnë futbollin”, ka thënë Munishi në emisionin sportiv “Favorit” në T7.
“Futbolli është në rrezik. Federata e Futbollit e Kosovës duhet t’i anulojë të gjithë projektet dhe t’u ndihmojë konkretisht klubeve sepse pandemitë nuk do të ndodhin çdo vit”.
Munishi ka shtuar se Federata do të shpresojë të marrë sa më shumë ndihma nga këto dy organe qeverisëse, pasi që tha se paratë e ndara nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit janë të pamjaftueshme.