Ministrja e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari duket se nuk e sheh krejt normale që në shekullin 21 një gazetar të bëjë pyetje, aq më tepër kur ato flasin për një veprim të mundshëm joligjor, të dikujt që tash ka marrë pozitë nga Qeveria.
Në një konferencë për shtyp pas vendimit për shkarkimin e Kryeshefit të Postes dhe Zyrtarit Financiar, ajo është pyetur për një rast disiplinor që e kishte pasur Kujtim Shala, anëtar i ri bordi i Postës.
I emëruari i Qeverisë Kurti në bordin e Postës së Kosovës, Kujtim Shala, ka pasur problem me punën e tij gjatë kohës kur ishte pjesë e s stafit të IT-së në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Në dosjen e tij në ministri, shkruan Kallxo.com figuron se Shala ishte pezulluar nga puna për dy muaj e më pas paga e tij ishte zvogëluar për 3 muaj pasi komisioni kishte konstatuar shkelje gjatë punës.
Teksa ka tentuar ta sqarojë rastin dhe të tregojë se kanë qenë të informuar kur e kanë emëruar, Hajdari si me krenari e ka njoftuar gazetarin se ‘Kujtim Shala do të bëjë padi për pyetjen’. Pra, për ministren Hajdari është gjithçka normale që dikush të paditet e akuzohet për pyetje. Ndonëse nuk vjen direkt prej saj, duket poashtu e papranueshme që një ministre ta gjykojë si normale qe një vartës i saj ta padis një gazetar vetëm pse i ka bërë një pyetje për një rast nga e kaluara.
“Dhe prapë po e ceku që Kujtim Shala do t’i vazhdojë procedurat ligjore ndaj medias për ngritjen e kësaj pyetje…sepse sipas Ligjit për Shërbimin Publik, zotni Kujtim Shala befasohet për këtë pyetje që është bërë që sipas tij me tregoi se është ekzagjeruar poashtu… Ai do të shikojë”, ka thënë ndër të tjera ajo në konferencë për shtyp.
Ky është sqarimi i ministres Rozeta Hajdari për rastin e anëtarit të Bordit:
Kujtim Shala ka qenë punonjës në Komandën Tokësore departamenti i komunikimit dhe ne kemi qenë të informuar për këtë pyetje që ju e bëni dhe rasti është mbyllur, por paraprakisht dua të ju jap sqarime për të gjitha detajet që juve ju interesojnë. Më bën përshtypje që jeni marrë me një të vogël por që është me rëndësi kundrejt të gjitha këtyre të gjeturave që po i publikojmë javë pas jave për secilën ndërmarrje publike. Çuditem nga mediat pse nuk janë marrë me këto gjetje që ne po i publikojmë. Megjithatë është e drejtë e qytetarit dhe e medias të bëhet kjo pyetje dhe dua të përgjigjem. Kjo ka ardhur si rezultat kur kolegu i Kujtim Shalës ka qenë në pushim dhe kolegu i zyrës së tij ka qenë menaxher i kontratave dhe ka qenë në pushim vjetor, ndërsa shefi i zyrës së tyre në mungesë të kolegut i cili ka qenë në pushim, Nysret Hoti, menaxheri i tij i ka thënë gojarisht shko merre porosinë e cila është dërguar dhe në mungesë të shkrimit është ngritur të nesërmen Inspektorati ka nisur një procedurë dhe kanë bërë një raport për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Faktikisht në evidencë shefi i tyre e pranon se Shala e ka marrë detyrën prej menaxherit. Kështu ka qenë porosia: Shko pranoje se nuk bën me lënë në rrugë mallin. Dmth kur shefi të jep detyrë ti duhet ta kryesh. Edhe unë vet si ministre ju jap shumë detyra gojarisht punonjësve të mi që të procedohet më shpejt porosia. Sipas ligjit ndoshta Kujtim Shala është dashur të kërkojë me shkrim por mendoj se nuk është dashur të kërkojë më shkrim….Ky rast është mbyllur me suspendim një muaj masë dhe një e treta e rrogës. Rasti është mbyllur para 7 vitesh.
Pyetjen e gazetarit dhe përgjigjen e ministres i gjeni nga minuta 10 e 20 sekonda.