Një 65-vjeçar nga fshati Sazli i komunës së Ferizajt i cili ka vdekur para tri dite në QKUK, e që ndërkohë ka rezultuar se ishte i infektuar nga virusi COVID 19, prej kohësh ishte duke punuar si vozitës në kampin “Bondsteel”.
E tek sot në fshatin e tij janë raportuar se janë të prekur edhe 8 persona të tjerë. Nuk ka informata nëse janë nga familja e tij e ngushtë, por dihet se janë raste kontakti. Në Ferizaj u konfirmuan sot gjithsejtë 18 raste, shkruan Reporteri.
“Rastet pozitive janë raste kontakti, nëntëmbëdhjetë (18) raste nga komuna Ferizaj (8 Sazli, 3 qytet Ferizaj, 2 Mirash, 1 Varosh, 1 Greme, 1 Talinovc i Muhaxherëve, 1 Neredime dhe 1 Lloshkobare), 2 raste Viti, 1 rast Hani i Elezit, 1 rast Prizren dhe 1 rast Prishtinë”, thuhet në njoftim.
Pas këtij numri, ka reaguar kryetari i kësaj komune, Agim Aliu. Në një postim në facebook, Aliu ka thënë se nuk duhet bërë panik dhe ka bërë thirrje që qytetarët e kësaj komune të qëndrojnë në shtëpi.
“18 ferizajas rezultuan të infektuar me virusin COVID-19. Bashkëqytetarë, ju lutemi, qëndroni në shtëpi, mbroni veten, familjen e gjithë shoqërinë.
Mantelbardhët janë në veprim, më së paku na nevojitet tash paniku, por ndërgjegjësimi është i domosdoshëm. Ne po bëjmë gjithçka që kemi në dorë për të mbajtur situatën nën kontroll”, ka shkruar Aliu.