Banorët e fshatit Semetisht të Suharekës, fshat i cili kufizohet me komunën e Malishevës, kanë vendosur një barrikadë në rrugë për të penguar banorët e komunës fqinje që të mos hyjnë ilegalisht në komunën e tyre.
Malisheva është komuna me numrin më të madh të të prekurve me coronavirus, dhe kjo komunë është ndër të parat në Kosovë që është karantinuar. Por, pavarësisht kësaj, banorët e kësaj komune kanë vazhduar të lëvizin nëpër komunat tjera, sidomos në ato fqinje, si Rahovec e Suharekë, duke gjetur rrugë alternative të cilat nuk janë të bllokuara nga policia.
Për të penguar lëvizjen e këtyre qytetarëve, banorët e fshatit Semetisht të Suharekës, kanë vendosur një rimorkio traktori si barrikadë në njërën nga rrugët të cilën banorët e Malishevës e shfrytëzonin për të hyrë ilegalisht në Suharekë.
Për këtë ka folur edhe kryetari i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, i cili në një prononcim për Klan Kosova, ka thënë se ajo barrikadë është vendosur aty përkohësisht, shkaku i ndërprerjes së përhapjes së epidemisë.
Suhareka dje ka shënuar edhe rastin e pestë me coronavirus, dhe nga sot është marrë vendim që edhe kjo komunë të futet në karantinë. /Reporteri.net
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.