Ish zyrtari i Departamentit amerikan të Shtetit, James Hooper thotë se administrata amerikane po synon një marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se ishte e pakënaqur me qasjen e qeverisë së kryeministrit tashmë në detyrë të Kosovës, Albin Kurti.
Hooper ka thënë se mendon që Kurti është nacionalist kur është pyetur rreth marrëveshjes teritoriale për Kosovën.
“Për nacionalistët, dhe mendoj se zoti Kurti është nacionalist, nëse e përcaktoni çështjen se çdo centimetër i territorit është i shenjtë dhe nuk heqim dorë prej tij, kjo do të thotë se nuk do të keni marrëveshje, nuk do të keni një marrëdhënie të re me Serbinë, nuk do të keni marrëveshje gjithëpërfshirëse që i jep fund konfliktit dhe i jep fund kërcënimit që paraqet Serbia për Kosovën. Kosova nuk është kërcënim për Serbinë, por Serbia është kërcënim ushtarak për Kosovën”, pohoi Hooper për VOA.
Ai ka thënë se e shqetësosn mënyra e të menduarit e Albin Kurtit, duke e quajtur mendim provincial.
“Ajo që më shqetëson është se disa udhëheqës politikë, e nuk dua të jem pezhorativ, nuk dua të jem negativ, por mendoj se mënyra e të menduarit të zotit Kurti pasqyron provincializëm, pasqyron mungesën e kuptimit se si funksionojnë gjërat në pikëpamje ndërkombëtare. Sërish ajo që është në marrëveshjen gjithëpërfshirëse është një mirëkuptim ndërmjet zotit Thaci dhe zotit Vuçiç, se ajo do t’i jap fund konfliktit me Serbinë”, është shprehur Hooper.