×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti kur e shkarkoi Veliun: Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme, është e paarsyeshme, e palogjikshme, e panevojshme, e padobishme

    Reporteri
    13 Prill 2020 | 0:30

    Jo pak njerëz, edhe nga shoqëria civile e sidomos nga partitë në opozitë kanë nisur t’ia kujtojnë sonte Kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit kohën kur refuzoi ta shpallë gjendje të jashtëzakonshme, për çka edhe shkarkoi një ministër dhe ra Qeveria e tij, shkruan Reporteri.


    Në ditën kur kishte shkarkuar Agim Veliun nga posti i Ministrit të Brendshëm kishte thënë se ‘fakti që Veliu kishte mbështetur një qëndrim të presidenti Hashim Thaçi për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme’ ishte e papranueshme.

    Ai kishte mbajtur një konferencë për shtyp dhe kishte shprehur edhe qëndrimet e tij. Pak kohë pasi Presidenti kishte kërkuar gjendje të jashtëzakonshme, dhe Qeveria kishte rënë, Kurti me kabinetin e tij mori vendim për kufizim të ;lirisë së lëvizjes. Kjo u shpallë anti-kushtetuese. Tash vendimet po i merr Ministria e Shëndetësisë, si mundësi për ta kufizuar lëvizjen dhe ashpërsuar masat, pa e dërguar çështjen në Kuvend, shkruan Reporteri.

    Kjo është një pjesë e fjalimit të tij të mbajtur në atë kohë.

    “Kishim edhe një mbledhje të Këshillit të Sigurisë raportet ditore të së cilit unë i marr përditë si kryeministër i Republikës së Kosovës.

    Në këto raporte këto ditë ka një gjë të përbashkët, te konkluza mbi gjendjen e sigurisë është ngjyra e verdhë. Është e vërtetë që nuk është ngjyra e gjelbër, sikurse para një muaji, mirëpo nuk është as ngjyra e portokalltë as ajo e kuqe, pra është ngjyra e verdhë. Situata është nën kontroll dhe e menaxhueshme.

    Mirëpo, përkundër kësaj pikërisht në Këshillin e Sigurisë u propozua që të kemi shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme nga ana e presidentit.
    Për bindjen time të fuqishme kjo është e paarsyeshme, e palogjikshme, e panevojshme, e padobishme.

    Andaj, edhe në konsultën me presidentin pardje, edhe në mbledhjen e mbrëmshme e përsërita qëndrimin tim si kryeministër i Republikës së Kosovës se i kemi marrur të gjitha masat e nevojshme dhe nuk jemi në shfrytëzimin e të gjitha masave të mundshme për parandalimin e shpërndarjes së infeksionit të virusit Corona.

    Në anën tjetër kishim një insistim të parapërgatitur me tekste të gatshme që me çdo kusht të shkohet me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.
    Mbledhjet e Këshillit të Sigurisë i udhëheq kryeministri i Republikës së Kosovës.

    Unë isha shumë kooperativ, meqenëse mbledhjen që u kërkua mbrëmë brenda pak orëve e thirra për orën në të cilën ajo ishte kërkuar, ndonëse nuk ekzistonte urgjenca për një gjë të tillë.

    Tash ne e dimë që jemi në pritje të përgjigjes së Kuvendit të Republikës së Kosovës për kërkesën e presidentit të Republikës së Kosovës për dekretin e tij të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme.

    Unë edhe sot jam i bindur se nuk ka nevojë për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme, është e mundshme që një nevojë e tillë të shfaqet në javët në vijim. Unë punoj, e uroj e lutem që kjo të mos ndodhë, mirëpo jam i bindur se as mbrëmë, as sot nuk kemi arsye për një gjë të tillë.

    U shpreha edhe në mënyrë kolegiale në mbledhje se pothuajse të gjithë anëtarët e Këshillit të Sigurisë jetojmë në Prishtinë, dhe përbrenda orës mund të mblidhemi nëse shfaqet nevoja për ta shpallur gjendjen e jashtëzakonshme.

    Duhet të theksoj se pas mbledhjes së mbrëmshme, unë nuk i kam ndjekur menjëherë deklarimet, por ato i kam parë në mëngjes sot dhe në mesin e atyre deklarimeve natyrisht se kryesore ishte ai i ish-ministrit të Brendshëm, Veliu, i cili në mesnatë në një televizion të Kosovës ka përhapur panik duke thënë se numri i të infektuarve po rritet nga ora në orë.

    Natyrisht që këta 19 të infektuar deri mbrëmë nuk ishin për 19 orë, për më pak se një ditë, mbase ishin për 19 ditë, por jo për 19 orë.
    Të thuash pa kurrfarë evidence, pa kurrfarë baze shkencore, pa kurrfarë raporti zyrtar a institucional se numri i të infektuarve po shtohet nga ora në orë është e papërgjegjshme, e kur ke edhe përgjegjësi ekzekutive është e dënueshme.

    Së dyti, përveç që u gënjye drejtpërsëdrejti në transmetim televiziv në drejtim të frikësimit dhe shtimit të panikut aty ku ai mund të ketë ekzistuar ose krijimit ku ai s’ka ekzistuar. Ne pyetjen shumë të qartë të gazetarit “A jeni për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme?”, ish-ministri tha “Po, sigurisht.”. Kjo është e palejueshme dhe unë nuk kisha zgjidhje tjetër sot, përveçse ta lirojë nga detyra ish-ministrin Veliu”./Reporteri

    Fjala e tij e plote: KETU 

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!