Pas një pauze të shkurtë ka nisur sërish seanca e Kuvendit të Kosovës, ku PDK ka paraqitur mocion procedural për futjen e dy projektligjeve në procedurë të shqyrtimit në Kuvend, duke kërkuar nga deputetët të votohet mocioni procedural.
Ky mocion është kundërshtuar nga LDK. Shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka thënë se kjo përbën shkelje të rregullave të Kuvendit, shkruan Reporteri.net.
“Ju po i referoheni një rasti specifik që përbën shkelje të rregullave. Sa i përket mënyrës së funksionimit dhe idesë për të aprovuar ligje, them se kemi probleme procedurale dhe logjike. Rendi i ditës së seancës dihet, atë çështje do ta trajtojmë sot. Sa i përket nismave ligjore. Kuvendi ka të drejtë për dy nisma, nismën për të hartuar një projektligj, dhe për të kërkuar nga Kuvendi hartimin e një projektligji”, u shpreh ai.
Gashi ka komentuar edhe masat e reja që do të hyjnë në fuqi nga nesër. Gashi ka thënë se ka ndodhur një përmbysje e rendit juridik e kushtetues.
“Kosova e din ku e ka problemin. Populli e din ku është problemi. Nga një qeveri në detyrë është shndërru në qeveri në uzurpim. Kryeministri e ka një letër nga presidenti dhe ai duhet të përgjigjet. Një qeveri e re që mund të vijë mund të marrë vendime të reja. Duet të jemi të kujdesshëm që të ruajmë sistemin juridik që e ka vendi. Çka neve na duhet tash është përgjegjësi institucionale. Ne duhet ta parandalojmë goditjen ekonomike që po i vije vendit. Kemi një qeveri në dorëheqje e cila me vetëdije vazhdon ta shkelë kushtetutën dhe ne nuk po merremi me këtë qeveri. Sot problemi kryesor është se ka ndodh një përmbysje e rendit juridik e kushtetues”, është shprehur ai.