Autor: Milazim Krasniqi
Pse jam me çdo kusht dhe në çdo rast kundër orës policore, kundër kontrolimit të lirisë së lëvizjes, veçmas kundër përdorimit të numrave për identifikim? Sepse që kur kam lindur, kam jetuar në një shtet policor, ku ne shqiptarët jemi trajtuar me këso metodash, si “racë inferiore.” Kur kam lindur, në vitin 1955, baba im i ka vuajtur torturat e egra të policisë së Tito/Rankoviqit, në aksionin famëkeq të armëve dhe unë jam rritur duke i dëgjuar ato rrëfime nga të tjerët, pasi baba nuk fliste vetë për to.
Në vitin 1968 dëgjoja rrëfimet për terrorin e policisë mbi studentët, ku spikatej fakti që një nxënës i vrarë në demostratë, ishte nga fshati fqinj, nga Barileva. Ndërsa kur jam rritur, më shumë se gjysma e jetës më ka shkuar duke kaluar nga një orë policore në një orë tjetër policore, nga një gjendje e jashtëzakonshme në një gjendje tjetër të jashtëzakonshme, nga një legjitimim me numra të letërnjoftimit, në një legjitimim të radhës, secili më brutal se tjetri. Terrori me gjendje të jashtëzakonshme dhe me orë policore sërish u kthye në vitin 1981, atëherë kur isha edhe vetë prind. Një natë prilli të atij viti, e kishim fëmijën me temperaturë të lartë dhe si prindër të rinj nuk na pritej mëngjesi. Patëm shkuar në pediatri tinëz, faktikisht nëpër ara. E sigurtë që ndërmjet frikës nga ndëshkimi policor dhe frikës për shëndetin e fëmijës, në zemrën e prindërve triumfon frika për shëndetin e fëmijës. Por, trauma nga policore më ka mbetur e gravuar në kujtesë.
Prandaj edhe tash mendoj se sa prindër mund t’i kenë fëmijët të sëmurë dhe kanë siklet se çka të bëjnë deri në mëngjes, me ata numrat idiotikë të Arben Vitisë?
Sigurisht kjo policia jonë është krejt tjetër, mund të ketë mirëkuptim, por pse duhet të trajtohet si fajtor njeriu që ka një hall dhe që e shfrytëzon lirinë e vet, të cilën qeveria ia shkelë në mënyrë antikushtetuese?! Kjo është çështja. Qeveria shkelë Kushtetutën ndërsa e len fajtor njeriun hallexhi. Më kujtohet që po atë vit, gjatë një nate me orë policore, një miku im më thirri në mesnatë i tronditur, ngase gruas së tij i kishin filluar dhimbjet e lindjes. Nuk dinte si të bënte. Meqë punoja në spital, i thashë se do të shkoja me të, u vesha shpejt dhe shkuam në spital mes frikës së ndëshkimit policor. Në vend se të gëzoheshin për lindjen e fëmijës, ata po dridheshnin nga frika që po e shkelnin urdhërin policer.
Faktikisht nga viti 1981 gjendja e jashtëzakonshme nuk është hequr kurrë, ndonjëherë është lehtësuar, por ka qenë pezull vazhdimisht. Në vitin 1888 e 1889 orët policore kanë qenë poashtu të egra. Bile në njërën prej tyre, meqë me një grup miqsh na zuri ora policore pa mbërri në shtëpi, një polic më pat goditur në fytyrë me egërsinë që i karakterizonte. Orët policore u alternuan ndër vite ashtu që nuk dinim tamam se ku përfundonte njëra e kur do të instalohej tjetra, deri në vitin 1999, kur e tëra u shëndërua në gjenocid. Jam i bindur se orët policore dhe kontrollet pa karar të letërnjoftimeve në rrugë, në kafene, në autobus e kudo, kanë qenë parapërgatitje për gjenocid. Pse? Sepse qytetarët njëherë duhet të frikësohen, të poshtërohen, mandej edhe nëse vriten, nuk duket e çuditshme. Ky është mekanizmi i qeverive hakmarrëse.
Fatkeqësisht, tentativat e kësaj qeverie dhe të ministrit kukull, Arben Vitisë, nuk janë pa traditë të hidhur as në Kosovën e lirë. Ora policore ishte institucion morbid në Kosovë, në disa raste e në disa lokalitete edhe pas çlirimit. Fjala vjen në komunën e Prizrenit, ora policore është mbajtur me vite si regjim. Ushtarët gjermanë i kanë lidhë njerëzit për shtylla, nëpër Prizren. Poashtu viti 2004 ka qenë vit i terrorit të UNMIK-ut e të KFOR-it, me shumë të vrarë e me qindra të plagosur. Shqiptarët tanë në pjesën veriore të Mitrovicës de facto ende jetojnë në një gjendje të jashtëzakonshme.
Prandaj bindja ime është se një populli që ka kaluar nëpër këtë përvojë tragjike, orë policore dhe identifikim me elemente që mund të evokojnë metodat komuniste e edhe naziste, nuk do të duhej t’i instalohej kurrë. Njerëzit e këtij vendi duhet të informohen, të edukohen, t’u kërkohet ndihmë, të respektohen e jo të torturohen, me orë policore e me legjitime me numra, të markuar si “racë inferiore” Sikur nuk po mjafton që janë të frikësuar e të dëmtuar në të gjitha planet jetësore nga koronavirusi, po u dashka edhe zullumi nga një palaço minister, i cili aktron ministrin e mirë, duke shkelur me të dyja këmbët Kushtetutën. (14 prill 2020)