×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Shqipëri: Shkon në 25 numri i viktimave nga koronavirusi, në total 494 të infektuar

    Reporteri
    15 Prill 2020 | 11:32

    Një 90-vjeçar ka humbur jetën mëngjesin e sotëm si pasojë e koronavirusit, por që vuante edhe nga sëmundje të tjera, duke e çuar në 25 numrin e viktimave.


    Në një dalje për mediat, task forca e ministrisë së Shëndetësisë bën të ditur se në 24 orët e fundit janë testuar 252 persona, nga të cilët 19 kanë rezultuar pozitiv. Ndërsa në total numri i të prekurve me COVID-19 ka shkuar në 494.

    Po ashtu gjatë 24 orëve të fundit, 3 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 251.

    Rastet e reja me COVID-19

    Nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 19 raste pozitive me COVID-19, prej të cilëve 11 raste në Tiranë, 1 rast në Krujë, 1 rast në Korçë, 1 rast në Elbasan, 5 raste në Kukës mes tyre 1 personel shëndetësor.

    Deri në këto momente janë testuar 4558 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 494 raste.

    Siç shihet nga grafiku, edhe pse sot janë 19 raste të reja, pavarsisht luhatjeve ditore, kurba mbetet e qendrueshme dhe situata është krejtësisht e kontrolluar.

    Sot ndërroi jetë një 90-vjeçar

    Mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë në spitalin infektiv një pacient 90-vjeç nga Fieri, i intubuar prej 11 ditësh i cili vuante nga diabeti, astma bronkiale dhe hipertensioni. Pavarësisht përpjekjeve te stafeve mjekësore, 25 qytetarë e kanë humbur betejën me këtë sëmundje.

    Në dy spitale, 48 pacientë

    Ju informojmë se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 39 të shtruar. 5 pacientë janë në terapi intensive.

    Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 9 pacientë të shtruar. 7 pacientë janë në terapi intensive, ndërsa 4 prej tyre janë të intubuar.

    Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 48 pacientë.

    Pavarësisht rritjes me 19 raste të reja në 24 orët e fundit, kemi një numër të qëndrueshëm të rasteve në spital.

    Zgjerohet harta e të prekurve

    Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë, Kukës, Krujë, Elbasan dhe Korçë.

    Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:

    – Tiranë 237 raste

    – Durrës 42 raste

    – Lushnje 6 raste

    – Elbasan 16 raste

    – Fier 32 raste

    – Kavajë 8 raste

    – Rrogozhinë 4 raste

    – Korçë 18 raste

    – Vlorë 5 raste

    – Shkodër 71 raste

    – Lezhë 14 raste

    – Berat 2 rast

    – Has 13 raste

    – Krujë 7 raste

    -Tropojë 4 raste

    – Pukë 5 raste

    – Mirditë 3 raste

    – Kukës 6 rast

    Apeli për qytetarët

    Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social. Në këto momente kërkohet përgjegjshmëri nga ana e qytetarëve për të respektuar distancën e nevojshme mes njëri tjetrit dhe ruajtjen e higjienës personale.

    Është e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit duhet të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye, për të parandaluar transmetimin e COVID-19.

    Nëse keni shenja të sëmundjes COVID19 telefononi numrin e urgjencës 127. Për çdo pyetje apo informacion rreth COVID19 telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!