×
  • Lajme
  • -->
    Botë

    1 vit nga zjarri në Notre-Dame

    Reporteri
    15 Prill 2020 | 14:35

    Katedralja “Notrë-Dam” ishte simbol i Parisit dhe nga pikat më të vizituara të kryeqytetit deri para rënies së një zjarri aksidental më 15 prill një vit më parë.


    Puna për rikonstruksionin e saj është pezulluar përkohësisht por pandemia me gjasë do e shtyjë rihapjen e katedrales përtej vitit 2024.

    Imazhet e zjarrit që flakëronte katedralen “Notre-Dame” të Parisit më 15 prill të vitit 2019 u transmetuan me keqardhje anembanë botës.

    Në njëvjetorin e ngjarjes, puna për rikonstruksionin e veprës arkitekturore është pezulluar prej muajsh si pasojë e tymrave toksike që ka lënë pas zjarri, nga dimri i ashpër dhe tani nga pandemia e koronavirusit.

    Sipas një teorie, zjarri u shkaktua nga një qark i shkurtër në nënçatinë e kishës ikonë franceze.

    “Nga ajo ditë kujtoj se ndodhesha në rrugën përbri katedrale, dhe kur pashë tymin që po dilte nga struktura spirale e çatisë, thashë me vete, kaq ishte, ka për të qenë një tragjedi,” shprehet kryeprifti i katedrales “Notre-Dame”, monsinjor Patrik Shove.

    Edhe pas 12 muajve, struktura gotike ende qëndron në këmbë ndërsa vetëm pas heqjes së kafazit të çatisë, inxhinierët do të mund të përcaktojnë përmasat e dëmeve, sigurinë e pllakave të gurit dhe kur qytetarët mund ta frekuentojnë atë si më parë.

    Vetëm një e pesta e 901 milionë euro donacioneve për rindërtimin janë mbledhur nga autoritetet.

    “Donatorët e mëdhenj, dhe gjithë të tjerët, nuk na kanë thënë se do e revokojnë mbështetjen e tyre financiare si pasojë e masave kundër pandemisë. Natën e zjarrit ne pamë se kjo katedrale ishte simbol universal i Parisit, i Francës, i botës, përtej besimit,” tregon përfaqësuesi i agjencisë së ngarkuar me rindërtimin e katedrales 8-shekullore.

    Kur 67 milionë francezë mbeten të izoluar në shtëpi nga koronavirusi, është ndalur përkohësisht edhe puna për heqjen e skelave jashtë katedrales ndërsa presidenti Emanuel Makron synon që ajo të rihapet në vitin 2024 për Lojërat Olimpike në Paris.

    Shpërndaje:
    -->
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!