×
  • Lajme
  • Lajme

    Thaçi flet me ambasadorët e Kuintit dhe atë të BE-së për formimin e qeverisë së re

    Reporteri
    15 Prill 2020 | 14:14

    Presidenti Hashim Thaçi, ka takuar sot ambasadorët e vendeve të Kuintit dhe përfaqësuesen e BE-së në Kosovë, për të diskutuar për zhvillimet në Kosovë.


    Në këtë takim ku të pranishëm ishin ambasadori i SHBA-së, ai i Britanisë së Madhe, i Francës, Gjermanisë dhe Italisë, si dhe Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, presidenti Thaçi i ka falënderuar të gjitha shtetet për përkrahjen që i kanë dhënë Kosovës në përballje me pandeminë e virusit COVID19 dhe ka shprehur ngushëllime për viktimat në çdo shtet.

    “Të gjithë së bashku jemi duke e luftuar pandeminë dhe duhet të bashkëpunojmë të gjithë, në Kosovë, në rajon dhe në botë”, u shpreh presidenti Thaçi.

    Kreu i shtetit foli edhe për zhvillimet politike dhe kërkesat që ia ka drejtuar kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit të vitit të kaluar për të propozuar një kandidat për Kryeministër të Kosovës, pas votimit të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti.

    “Qytetarët e Kosovës kërkojnë dhe kanë nevojë për një qeveri me mandat të plotë, sidomos në rrethanat emergjente të shkaktuara nga pandemia”, u shpreh presidenti Thaçi.

    Ai shtoi se çdo hap që do të ndërmarrë do të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, me praktikat e deritashme dhe me vullnetin e partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!